Dokumenti, Kryebashkiaku i Mallakastrës i dënuar në Greqi për plagosje

AKTUALITET


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka publikuar të premten një dokument të prokurorisë greke sipas të cilit vërtetohet se kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismailaj është dënuar me 3 vite burg në Greqi për akuzën e rrahjes dhe plagosjes, dënim të cilin nuk e ka kryer pasi nuk është gjendur në territorin grek. Bardhi tha se sipas ligjit të dekriminalizimit, Qerim Ismailaj nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik, aq më pak të jetë kandidat për Kryetar Bashkie, si dhe i bëri thirrje prokurorisë që veprojë menjëherë.

“Sipas vërtetimit me nr. Protokolli 405 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Athinë, Edi Rama i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000. Ai është dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin për shkak të mosgjetjes në territorin grek. Sipas ligjit të dekriminalizimit, Qerim Ismailaj nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik, aq më pak të jetë kandidat për Kryetar Bashkie. Ai është subjekt ndalimi sipas ligjit dhe duhet menjëherë të procedohet penalisht për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit”, u shpreh Bardhi i cili hodhi akuza në drejtim të kryeministrit Rama duke thënë se ai ka qenë në dijeni të këtij fakti.

“Edi Rama do të ndëshkohet me votë të lirë e të ndershme për faktin që alternativa e tij e vetme është krimi për kandidimin e individëve me të shkuar kriminale dhe për tentativën e përsëritur për të futur në politikë individë me të shkuar kriminale”, tha Bardhi.

Ndërsa kryebashkiaku Ismailaj disa ditë më herët hodhi poshtë akuzat e PD-së, duke i cilësuar të pavërteta dhe tha se nuk ka asnjë dënim ndaj tij në Greqi dhe se është i hapur për çdo lloj verifikimi. Më herët PD ka denoncuar edhe 3 raste të tjera të kryebashkiakëve socialistë që kanë fshehur dënimin, denoncime që në dy raste kanë rezultuar të vërteta, siç janë rastet e Valdrin Pjetrit në Shkodër dhe Agim Kajmakut në Vorë. Ndërsa rasti i Mark Babanit në Vaun e Dejës është ende në proces verifikimi.



Skip to toolbar