Emisioni “Real Story” kishte në fokus të tij këtë të hënë diskutimin e një baze ligjore për krijimin e detyrueshëm të siguracionit të pronës për t’u mbrojtur në raste fatkeqësisht por dhe krijimit të një kulture të re atë të sigurimit. Të ftuarit, ekspertë të ekonomisë, thanë se kompanitë e sigurimeve janë të besueshme, pasi kanë mbikëqyrës të punës së tyre dhe se ka ardhur koha që sigurimi i pronës duhet të bëhet i detyrueshëm dhe shteti të ndajë se cilën pjesë do subvencionojë vetë. “Kompanitë e sigurime janë më të besueshme se sa i mendojnë njerëzit. Klienti kur të shkoje para kompanisë ta harrojnë qe ne mund të mos i përgjigjemi siç duhet pasi edhe kompanitë kanë mbikëqyrësit e tyre mbi kokë që kërkojnë llogari për çdo gjë” u shpreh Morina.
Në lidhje me krijimin e një baze ligjore, Kadri Morina tha se kjo përpjekje ka nisur nga qeveria që në 2014 me përmbytjen e Fierit dhe dokumenti u hartua me ekspertë të huaj, por që në fund ngeli i harruar në sirtarë.
“Në 2014 kryeministri Rama na ka mbledh të gjithë kompanitë e sigurimit dhe tha se ka ardhur koha të merrni ekspertë nga Italia, Rumania, Turqia, Austria, nga vendet e rajonit dhe më nxirrni produktin më të mirë, ma sillni në tavolinë dhe të krijojmë një sigurim dhe ligj që i shërben të gjithëve në raste fatkeqësish natyrore. Ai dokument u përgatit dhe ngeli në sirtar. Nga burokracia e atyre personave që janë marrë me atë punë, AMF, Komisioni Ekonomisë, Ministria e Financave”, tha Morina.
Edhe Arben Malaj, tha se kjo çështje gjë “është diskutuar shpesh dhe nuk është gjetur një kostum që u rri mirë të gjithëve. Padyshim që është i domosdoshëm sigurimi i detyrueshëm i banesave. Qeveria të ndajë mirë pjese që do subvencionohet prej saj.”