Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, do të paditet për një pagesë që ia ka bërë një ylli të pornografisë, në këmbim të heshtjes, para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Detajet e rastit kundër tij, ende nuk janë bërë të ditura.
Një juri e madhe ka votuar për ta paditur atë, pas hetimit të pagesës prej 130.000 dollarëve për Stormy Daniels-in, në përpjekje e sipër për të blerë heshtjen e saj, për një aferë të supozuar.
E ashtuquajtura juri e madhe përbëhet prej një grupi të qytetarëve, të cilëve ligji u jep autoritet për të hetuar shkeljet e mundshme penale të një pandehuri dhe të vlerësojnë nëse duhet ndëshkuar ai.
Trump, 76-vjeçar, mohon çdo keqbërje.
Ai është ish-presidenti i parë amerikan që përballet me padi penale.
Prokurori i qarkut Manhatan në Nju Jork, Alvin Bragg, i cili i ka kryer hetimet, e ka konfirmuar që e ka kontaktuar avokatin e Trumpit, për të “koordinuar dorëzimin e tij”, për akuzat e paspecifikuara.
Ish-presidenti amerikan, që tani jeton në Florida, pritet të udhëtojë të hënën në Nju Jork dhe të paraqitet në gjykatë të martën, kanë thënë dy burime të njohura me këtë rast për transmetuesin amerikan CBS.
Pikat e padisë do t’i lexohen atij në gjykatë, e cila pritet të zgjasë 10-15 minuta.
Shërbim Sekret i Shteteve të Bashkuara – i cili ka për obligim që të mbrojë presidentin aktual dhe ish-presidentët tjerë – do të angazhohet për sigurinë gjatë paraqitjes së Trumpit në gjyq.