Presidenti Donald Trump është shtruar në qendrën spitalore të ushtrisë amerikane Walter Reed pranë Uashingtonit për trajtim mjekësor kundër koronavirusit, njofton Shtëpia e Bardhë.
Para nisjes, presidenti regjistroi një mesazh të shkurtër që e postoi në llogarinë e tij në Twitter ku falenderon dashamirësit e tij dhe shprehet se mendon “që jam shumë mirë. Por po shkoj në Spitalin Walter Reed për të garantuar që kjo gjë përfundon krejt mirë”. Ai shprehet se është mirënjohës për mbështetjen dhe nuk do ta harrojë kurrë, por pa ofruar hollësi për diagnozën apo gjendjen e tij shëndetësore.
Më herët Shtëpia e Bardhë nxori një deklaratë duke njoftuar se presidenti do të qëndrojë disa ditë në spital bazuar në rekomandimet e mjekut. “Presidenti është me humor të mirë, ka simptoma të lehta dhe ka vazhduar punën gjatë gjithë ditës,” tha në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany.
“Nisur nga synimi për të qenë mëse të sigurtë dhe të kujdesshëm dhe bazuar në rekomandimet e mjekut të tij personal dhe të ekspertëve të shëndetit, presidenti do të punojë për disa ditë të ardhshme nga zyrat presidenciale në kompleksin Walter Reed. Presidenti Trump është mirënjohës për dashamirësinë dhe mbështetjen që ka marrë ai dhe Zonja e Parë,” përfundon deklarata për shtyp.
Më herët të premten, mjeku i presidentit, Dr. Sean Conley, tha në një deklaratë për shtyp se presidenti mori një dozë intravenoze anti-trupash të dyfishtë të prodhuara nga Regeneron Pharmaceuticals Inc, duke e shoqëruar me zink, vitamin D, famotidinë, melatoninë dhe aspirinë.
Presidenti Donald Trump “vazhdon të jetë i këputur, por (është) me humor të mirë”, pasi u trajtua me një kokteil eksperimental antitrupash ndaj COVID-19, tha mjeku.
REGN-COV2, ilaçi i kompanisë Regeneron, është pjesë e një klase ilaçesh eksperimentale për COVID-19, të njohura si anti-trupa monoklonale – kopje të prodhuara të anti-trupave njerëzore ndaj virusit, të cilat po analizohen si trajtim për pacientët në fazat e hershme.
Kjo teknikë po përdoret gjerësisht për trajtimin e një sërë sëmundjesh. Deri më tani ka vetëm të dhëna të kufizuara për anti-trupat e COVID-19, por kreu i departamentit për sëmundjet infektive Dr. Anthony Fauci është ndër personat që kanë thënë se është premtuese.
Kompania Regeneron njoftoi këtë javë rezultate testimesh që tregojnë se ilaçi i saj me anti-trupa përmirësoi simptomat e pacientëve me COVID-19 që nuk janë shtruar në spital, pa asnjë efekt serioz anësor dhe njoftoi se synon të hyjë në bisedime me Agjensinë e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të marrë autorizim për përdorim emergjence.
Po të premten, paradite, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Donald Trump po kalon simptoma të lehta të COVID-19, pas njoftimit se ai dhe gruaja e tij Melania ishin testuar pozitivë me koronavirus.
Presidenti e bëri njoftimin në Twitter të premten herët dhe tha se të dy do të fillojnë karantinën. Presidenti Trump është 74 vjeç, dhe kjo e vë në rrezik më të lartë për komplikime serioze.