Dorëheqja, BE hesht për Haradinajn

KOSOVA


Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijancic, nuk ka bërë asnjë koment për vendimin e Haradinajt për të lënë postin si kryeministër i Kosovës, pasi u thirr nga gjykata Speciale në Hagë për t’u intervistuar në lidhje me krimet e luftës në Kosovë. “Në këtë moment nuk kemi ndonjë koment”, ka theksuar Kocijanic.

Dorëheqja e Haradinajt për shkak të thirrjes së gjykatës Speciale vjen vetëm dy vjet që nga krijimi i qeverisë së Kosovës të ndërtuar nga AAK-ja, PDK-ja, NISMA e AKR-ja. Tashmë Kosova pritet që të futet në zgjedhje të parakohshme ndërsa vetë Haradinaj ka thënë se ai dhe partia e tij do të kandidojnë në zgjedhjet që do të mbahen në ditët në vijim.

Marrja në pyetje e personaliteteve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prokurorinë Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, vazhdon nga janari i këtij viti. Nga organizata e veteranëve të luftës në Kosovë kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se, deri më tash, në intervista janë thirrur 40 vetë, në kapacitete të ndryshme.

Para Prokurorisë së Specializuar për Kosovën (të njohur si Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë) javën e ardhshme pritet të paraqitet Ramush Haradinaj. Haradinaj e dha vetë lajmin më 19 korrik në mbledhjen e Qeverisë, kur edhe dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës. Ai tha se në Hagë duhet të shkojë si qytetar i thjeshtë e jo si kryeministër shteti.

Haradinaj tha se udhëheqja e ardhshme e Kosovës duhet të zgjidhet nga populli dhe se, pas kthimit nga Haga, do të angazhohet brenda partisë së tij, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe do të përgatitet për zgjedhje të reja. Prokuroria e Specializuar në Hagë nuk ka publikuar informata për këtë rast, ashtu siç ka vepruar në të kaluarën.



Skip to toolbar