Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi është e fundit që ka mbetur nga kryebashkiakët e ekstremë të opozitës, e cila ende nuk ka lënë detyrën pas lëshimit të Kamzës nga Xhelal Mziu, i cili mbeti i vetëm pa mbështetjen e Bashës. Që në fillim të fushatës elektorale, ajo është treguar e egër, duke folur për molotov dhe duke organizuar protesta të dhunshme, ku nuk mungoi edhe djegia e një shkolle, ku ishte vendosur një qendër votimi. Por, nëse ajo deri dy ditë më herët, pas takimit me ambasadorin e OSBE, Borchardt, ajo kishte folur me gjuhë force, se nuk e lëshon bashkinë, nuk do të bëjë asnjë hap pas, të enjten, ajo ka ndryshuar gjuhë, duke iu drejtuar mbështetësve të saj, se rruga e vetme për të është vërtetimi se këshillat dhe kryetarët janë zgjedhur në kundërshtim me ligjin, veprim që në fakt kryhet nga gjykatat.
Me një status të gjatë në rrjetet sociale, ajo duket se është dorëzuar nga deklaratat e forta, ndoshta edhe për faktin se Basha braktisi një ditë më herët Mziun, ndërsa ka argumentuar se nuk ka asnjë mënyrë për të mbrojtur postin e saj dhe të të emëruarve të saj, veç asaj në gjykatë. “Kushtetuta normalisht lejon kontrollin e kushtetutshmërisë së këtyre vendimeve përtej kufizimit të së drejtës së ankimit që i bën ligji. Është pikërisht kjo çfarë do të jetë hapi tjetër që Shoqata e Bashkive do të bëjë, duke vërtetuar se të gjithë këshillat bashkiake, sikurse edhe kryetarët e bashkive, janë të zgjedhur në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën”, u shpreh Voltana Ademi, por nuk shpjegoi se si do i vërtetojë ato. Sipas saj, ky rrugëtim nuk do të jetë i lehtë, por “është e vetmja rrugë për të rikthyer vlerat te të cilat besojnë shumica dërrmuese e shqiptarëve”.
Gjuha e zbutur e Voltana Ademit vjen në kohën që ende nuk është konstituar këshilli bashkiak i Shkodrës edhe për faktin se ende nuk ka mbaruar mandati i këshillit bashkiak paraardhës. Katër vite më parë, këshilli bashkiak i Shkodrës është konstituar i fundit, pikërisht më 20 gusht, madje është zhvilluar nën një tension të madh, të shoqëruar me debate e kërcënime, pasi këshilltarët e majtë kërkuan që votimi të jetë transparent, por të djathtët vendosën që të bëhet i mbyllur. Tashmë, vetëm pak ditë mbeten për të kuptuar nëse Shkodra do të kthehet në qendër të kritikave, apo edhe Voltana Ademi do të detyrohet të mos kryejë veprime në kundërshtim me ligjin, duke pasur parasysh edhe faktin se është në hetim për një tjetër vepër penale zgjedhore.