Dosja 184, Krimet e Rënda ia kalojnë Dibrës. PD: Për të shmangur SPAK

AKTUALITET


Prokuroria për Krime të Rënda ka hequr dorë nga dosja 184, duke shpallur mos kompetencë. Nga Korriku dosja i ka kaluar Prokurorisë së Dibrës me vendim të Prokurorit Klodian Braho. Krimet e Rënda japin arsyetimin se nuk kanë kompetencë për të hetuar krimet zgjedhore dhe për pasojë dosja i është kaluar Prokurorisë së rrethit Dibër që kanë edhe kompetencë për të hetuar.

Dosja 184 është regjistruar për veprat penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Kjo dosje bën fjalë për përgjimet e kryera gjatë zgjedhjeve të pjesshme vendore në vitin 2016 në Dibër, një pjesë e të cilave u publikuan nga gazeta gjermane Bild.

Menjëherë pas publikimit të lajmit për kalimin e dosjes në Dibër, Partia Demokratike ka reaguar nëpërmjet Gazmend Bardhit, duke deklaruar “Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pushuar së ekzistuari si e tillë dhe me urdhër të Edi Ramës, është shndërruar në një prokurori private që nuk ndëshkon krimin e vjedhjes së zgjedhjeve, por e mbron atë”.  Sipas tij, heqja dorë nga hetimi dhe kalimi i dosjes në Prokurorinë e Dibrës, me urgjencë dhe në fshehtësi, në prag të ngritjes së SPAK, është qartazi shmangie e kalimit të kësaj dosje te SPAK.

Kjo dosje ishte artikuluar shpesh nga opozita, por nuk u publikua prej saj, pasi zgjodhi një strategji tjetër, duke e publikuar në një tjetër media, ashtu sikurse ndodhi edhe me dosjen 339.

Një prej bisedave të përgjuara përfshin edhe kryeministrin Edi Rama më një zyrtar lokal, Arben Keshi, që kishte kompetencën e Partisë Socialiste në komunën e Maqellares. Në bisedë, Rama e pyet nëse u arritën objektivat, pra nëse PS ka fituar apo jo, por në asnjë moment nuk flitet as për blerje votash as për manipulime. Përfaqësuesi i PS e qetëson Ramën duke e siguruar që nga informacionet e marra nga komisionerët, kishte pritshmëri të mëdha.

Por nga biseda del dëshmia, të cilën Bild e anashkalon pa e përmendur fare, mbi veprimet e një bande të Partisë Demokratike të drejtuar nga ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka që përndiqte dhe kërcënonte përfaqësuesin socialist.



Skip to toolbar