Dosja e famshme “339” është rikthyer në qendër të vëmendjes, pasi një nga të akuzuarit për shitblerjen e votave në Durrës për zgjedhjet parlamentare të2017-s, që në seancën e parë në Gjykatën Speciale, ka akuzuar dy prokurorët e çështjes për manipulim provash. Ditën e hënë pritej që Prokuroria kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të komunikonte akuzat për 15 personat e dyshuar, por ngjarja ka ndryshuar rrjedhë.
Personat nën hetim, me tyre edhe Astrit Avdyli, kërkuan praninë e dy prokurorëve të dosjes, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, ndërsa në sallë mungoi Vladimir Mara. Astrit Avdyli pretendoi se ata kanë manipuluar provat dhe kërkon ballafaqim me prokurorët. Në këto kushte, SPAK, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion nuk arriti t’i komunikojë akuzat grupit Avdylaj. Prokurori Prençi ka vendosur që ta shtyjë seancën për komunikimin e akuzave për më datë 16 janar, kohë kur pritet të kthehet edhe kolegu i tij që ndodhet jashtë vendit.