“Para nga dhitë dhe delet…”: ja pse iku “i ndershmi” Besnik Muçi nga Vettingu

AKTUALITET


Megjithëse Besnik Muçi kaloi me sukses fazën e parë të vettingut duke marrë OK nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Apelimit vendosi ta shkarkojë me argumentin se ka deklarime të pasakta të pasurisë dhe fshehje te saj. Shkak për këtë vendim është bërë raporti i detajuar i Komisionerit Publik që ka apeluar vendimin e KPK-së. Në raportin e tij Komisioneri Publik Darjel Sina ka analizuar deklaratat e pasurisë së prokurorit Besnik Muçi përgjatë viteve 2003, 2004, 2005, 2006 dhe 2016, Besnik Muçi nuk mbulon shpenzimet dhe kursimet me të ardhura të ligjshme. Si rrjedhojë, Muçi gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë, duke rezultuar kështu për këto vite me pasuri apo të ardhura më të mëdha nga sa mund të justifikohen ligjërisht.

Po kështu në raportin e detajuar Komisioneri Publik, ndryshe nga përfundimet e Komisionit (KPK)  për vlerësimin e pasurisë së Besnik Muçit,  bazuar në aktet e administruara për këtë qëllim, vlerëson se subjekti nuk arrin të justifikojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive, si dhe gjendet në kushtet e mosdeklarimit të tyre.

Deklarata e vitit 2006

Problematike është bërë deklarimi i një apartamenti me sipërfaqe 57 m2. Gjatë hetimit administrativ, kjo pasuri e paluajtshme rezulton të jetë deklaruar për herë të parë nga Muçi në deklaratën e pasurisë në vitin 2006, për një vlerë prej 1.900.000 lekë. Për këtë vlerë Muçi ka deklaruar se të ardhurat i ka siguruar me hua nga babai, xhaxhai, nga motra dhe bashkëshorti i saj. Ndërsa në deklaratën e vitit 2017 Muçi ka deklaruar si burim të ardhurash edhe kursimet e tij në vlerën e 200.000 lekëve, si dhe kursime nga vëllai i tij në emigracion. Por nga analiza financiare e të ardhurave dhe shpenzimeve të vitit 2005, pasi zbriten shpenzimet e deklaruara, si dhe kursimi, rezulton se diferenca e mbetur nga të ardhurat, prej rreth 387.000 lekësh, nuk rezulton e mjaftueshme për të mbuluar konsumin minimal vjetor të një familjeje prej katër anëtarësh.

Lidhur me këtë fakt, prokurori Besnik Muçi është shprehur para KPK se: “gjatë këtyre viteve, unë dhe familja ime kemi ndjekur një regjim të rreptë kursimi. Fëmijët kanë qenë të vegjël dhe kemi kryer vetëm shpenzime të nevojshme për jetesë (nuk kemi kryer udhëtime, pushime, kemi përdorur shërbimet publike për transport, nuk kemi udhëtuar asnjëherë jashtë Republikës së Shqipërisë, konfirmuar nga sistemi TIMS etj). …gjatë kësaj periudhe, ne si familje jemi ndihmuar me shuma monetare dhe në forma të ndryshme, kemi marrë produktet bujqësore e blegtorale nga fshati etj., nga prindërit e mi, vëllai im ***. ***., i cili ka qenë emigrant në ***, dhe familja e vjehrrit ***. ***., i cili ka qenë i punësuar, dhe vjehrra ka pasur një biznes të vogël tregtimi të rrobave për fëmijë”.

KPK ka vlerësuar se kjo pamjaftueshmëri të ardhurash nuk përbën shkak për shkarkimin e Muçit nga detyra, por Komisioneri publik në ankimin e tij shkruan se mungojnë provat dhe se e gjitha kjo “bazohet në pretendimet e paraqitura nga vetë subjekti, që mbeten thjesht në nivel deklarativ, të paprovuara”.

“Komisioneri Publik vlerëson se, edhe pse analiza financiare e bërë nga Komisioni rezulton me balancë negative, përfundimi i Komisionit është i gabuar, pasi nuk mbështetet në dokumentet provuese që vërtetojnë deklarimet e subjektit për sa i përket “regjimit të rreptë ushqimor””, shkruhet në raportin e Komisionerit publik. Sipas Komisionerit publik KPK nuk ka hetuar vlefshmërinë ligjore të dokumentacionit të paraqitur nga Muçi për për të provuar aftësinë huadhënëse të babait dhe xhaxhait, por i ka marrë të mirëqena ato. “Vlerësojmë se disa prej tyre nuk kanë asnjë vlerë provuese në formën e paraqitur, sepse janë vetëdeklarime dhe të tjera, dokumente pa vulë apostile, me përkthim të thjeshtë nga gjuha pa u vërtetuar nënshkrimi i përkthyesit nga noteri publik”, shkruhet në raport.

Po kështu problematike është cilësuar nga Komisioneri Publik edhe derdhja e disa shumave në euro që Besnik Muçi ka bërë në llogarinë  e motrës së tij përgjatë viteve 2005 – 2006  me përshkrimin: pagesë për studime. Nga të cilat, në korrik 2006, është depozituar 5.000 euro nga Besnik Muçi, në shtator 2006, depozituar 6.000 euro nga Besnik Muçi dhe në  tetor 2007, tërhequr 5.000 euro nga Besnik Muçi, me prokurë. “Komisioni nuk ka pyetur subjektin për shumat me të cilat ka kredituar llogaritë e motrës së tij, ndërkohë që kjo e fundit i ka dhënë huan në shumën 6.000 euro, fakt i cili në optikën e Komisionerit Publik do të duhej të hetohej në mënyrë shteruese.  Në çdo rast, aktet e administruara në dosje nuk provojnë mundësinë huadhënëse të personit tjetër në vitin 2006”, konstaton komisioneri publik.

Deklarata viti 2016

Komisioneri publik vëren pasaktësi në deklatratën e vitit 2016 kur Besnik Muçi ka deklaruar blerjen e një apartamenti banimi me sip.78.4 m2 për shumën 75.000 euro. Edhe në këtë rast Muçi ka deklaruar se të ardhurat kanë ardhur nga kursimet prej punës së tij dhe të bashkëshortes, një hua në shumën 15.000 euro nga vëllai i bashkëshoretes dhe menaxhimi i dy dyqaneve, shitje me shumicë dhe pakicë, mobilieri me sip. 2.000 m2 dhe 3.600 m2 dhe një kredi bankare në shumën e 1.500.000 lekëve.

Komisioneri Publik, vlerëson se edhe në këtë rast arsyetimi dhe konkluzionet e Komisionit në lidhje me burimin e ligjshëm të krijimit të kësaj pasurie nuk gjejnë mbështetje ligjore. Referuar gjendjes së akteve dhe vlerës provuese të tyre rezulton se subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të nuk kanë arritur të justifikojnë bindshëm burimin e krijimit të pasurisë.

Mosdeklarimi i pasurisë

Komisioneri publik gjithashtu vëren se ka mungesë të deklarimit të një sipërfaqe trualli nga ana e Besik Muçit. Rezulton se bashkëshortja e Muçit së bashku me familjarët e saj (prindërit, e motra dhe vëllai), është në cilësinë e bashkëpronares me pjesë të barabarta të një trualli me sip.178 m2

dhe sip. ndërtese 100 m2, por kjo pasuri rezulton se nuk është deklaruar ndonjë herë në deklaratat periodike të prokurorit Muçi dhe as në deklaratën Vetting, për rrjedhojë nga Komisioni është konsideruar si pamjaftueshmëri në deklarim.

Mosmbulimi i shpenzimeve vjetore

Komsioneri Publik konstaton nga analiza financiare e të ardhurave se Besnik Muçi nuk mbulon me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe kursimet vjetore për vitet 2003, 2004 dhe 2005. Komisioneri Publik vlerëson se në një ekonomi familjare të ardhurat e ligjshme duhet të mbulojnë në çdo rast shpenzimet e kryera për konsum, kursime dhe investime/pasuri. Ky është dhe qëllimi i dispozitës kushtetuese, kur shprehet se: “subjekti i rivlerësimit duhet të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave”, në të kundërt nëse raporti i ligjshmërisë së të ardhurave me shpenzimet, kursimet apo investimet e kryera do të ishte i zhdrejtë, atëherë rrjedhimisht do të gjente zbatim neni 61/3, i ligjit nr. 84/2016, pra subjekti do të gjendej në situatën e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë së tij.

Raportin e plotë të Komisionerit Publik mund ta lexoni këtu:



Skip to toolbar