‘Dosja Gërdeci’/ Kushtetuesja rrëzon Fatmir Mediun

AKTUALITET


Kolegji i Gjykatës Kushtetuese ka vendosur të mos kalojë për shqyrtim çështjen e Gërdecit për Fatmir Mediun. Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet për shpërthimin e municioneve në fabrikën e demontimit në fshatin Gërdec në vitin 2008.

Mediu i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese në prill të këtij viti për të ankimuar vendimi e Gjykatës së Lartë.

Gjykata e Lartë ka rrëzuar më herët rekursin e ish-ministrit të Mbrojtjes, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që pranoi kërkesën e SPAK për rihapje të hetimeve për dosjen Gërdeci.

“Kolegji çmon se kërkuesi nuk ka shteruar mjetet ligjore efektive në dispozicion, për rrjedhojë kërkesa nuk mund të kalojë për shqyrtim në seancë plenare”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Kolegjit Kushtetues.

Shpërthimi në vitin 2008, shkaktoi 26 viktima, mes të cilëve dhe fëmijë, ndërsa afro 250 të tjerë mbetën të plagosur.

Vendimi i plotë: 


Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga:

Vitore Tusha,                          Kryetare

Elsa Toska,                              Anëtare

Sandër Beci,                            Anëtar

në datën 19.07.2022 mori në shqyrtim paraprak kërkesën nr. 4 (F) 2022 të Regjistrit Themeltar, që i përket:

 KËRKUES:  FATMIR MEDIU

OBJEKTI:  Shfuqizimi i vendimit nr. 1106, datë 21.12.2021 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

 BAZA LIGJORE:     Nenet 42, 131, pika 1, shkronja “f”, 134, pika 1, shkronja “i” dhe 142, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar (ligji nr. 8577/2000).

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese (Kolegji), pasi dëgjoi relatorin e çështjes Sandër Beci, shqyrtoi kërkesën, dokumentet shoqëruese dhe diskutoi çështjen në tërësi,

 V Ë R E N:

I

Rrethanat e çështjes

Në datën 15.03.2008, në ambientet e ish-Brigadës së Tankeve, në fshatin Gërdec, Tiranë, gjatë procesit të çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake nga shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh me pasoja në jetën dhe shëndetin e disa personave, si dhe në dëmtimin ekonomik të shtetit dhe individëve.
Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar procedimin penal nr. 3 të vitit 2008, në ngarkim të disa të pandehurve, përfshirë shtetasin Fatmir Mediu (kërkuesi), i cili në atë periudhë ushtronte detyrën e ministrit të Mbrojtjes, me akuzën e kryerjes së veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal (KP) dhe “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak – kuadër komandues, të parashikuar nga nenet 70, paragrafi i dytë dhe 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i KP-së.
Prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë (Kuvendi) autorizimin për procedimin penal ndaj kërkuesit, i cili është dhënë me vendimin nr. 185, datë 16.06.2008 të Kuvendit. Në vijim, Prokuroria e Përgjithshme ka paraqitur në Gjykatën e Lartë kërkesë për gjykim për të gjithë të pandehurit, mes të cilëve edhe kërkuesi.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, gjatë shqyrtimit të kërkesave paraprake, me vendimin e datës 22.05.2009, ka vendosur ndarjen e çështjes penale, vazhdimin e gjykimit për kërkuesin në po atë gjykatë, si dhe shpalljen e moskompetencës për gjykimin e të pandehurve të tjerë, duke dërguar çështjen për këta të fundit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Pas zgjedhjeve parlamentare të datës 28.06.2009, kërkuesi është zgjedhur deputet i Kuvendit, shkak për të cilin mbrojtja e tij ka paraqitur kërkesë në Gjykatën e Lartë për pushimin e çështjes penale në ngarkim të tij me argumentin se ligji kushtetues nuk lejonte vazhdimin e procedimit penal.
Me vendimin nr. 6, datë 14.09.2009, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur: “Pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mund të vazhdojë.”.
Në datën 26.02.2021, shtetasit F.D. dhe Z.D., trashëgimtarë të të ndjerit E.D., njëri prej viktimave të ngjarjes së Gërdecit të datës 15.03.2008, kanë paraqitur në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme) kërkesë për ndjekjen penale të kërkuesit.
Prokuroria e Posaçme ka paraqitur kërkesë në Gjykatën e Lartë me objekt revokimin e vendimit nr. 6, datë 14.09.2009 të asaj gjykate për pushimin e çështjes penale në ngarkim të kërkuesit. Sipas prokurorisë, ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit, në mënyrë që t’i hapet rruga ligjore shqyrtimit të akuzës penale ndaj kërkuesit, pasi pengesat ligjore për gjykimin e tij lidhur me autorizimin e Kuvendit nuk ekzistojnë më, duke qenë se nuk është më deputet. Po kështu, sipas saj, pushimi i çështjes penale është vendosur në fazën e kërkesave paraprake të procesit gjyqësor, pa kaluar në marrjen e provave të kërkuara nga prokurori dhe avokatët, për rrjedhojë as në shqyrtimin dhe vlerësimin e tyre nga gjykata.
Kjo kërkesë është regjistruar në Gjykatën e Lartë me nr. 000-0001-2021, datë 05.05.2021.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 1, datë 01.06.2021, ka vendosur: “ Deklarimin e moskompetencës lëndore për shqyrtimin e kërkesës penale nr. 000-0001-2021, datë 05.05.2021. Dërgimin e akteve Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO e Shkallës së Parë).”.
GJKKO-ja e Shkallës së Parë, me vendimin nr. 60, datë 27.07.2021, ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, duke vlerësuar se edhe pse Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në të dy vendimet e tij ka theksuar se të drejtën për të kërkuar autorizimin për procedim sipas ligjit e ka vetëm prokurori, nga tërësia e akteve procedurale dhe provave që ndodhen në dosjen gjyqësore konstatohet se që prej datës 14.09.2009 e në vazhdim, organi i akuzës nuk i ka kërkuar përsëri Kuvendit dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit Fatmir Mediu, mungesa e të cilit nuk lejonte vazhdimin e procedimit penal. Në kushtet kur prokuroria nuk e ka ushtruar ndjekjen penale për një periudhë mbi 10 vjet, edhe pse nuk ka pasur një pengesë të tillë, ajo nuk mund të ushtrohet bazuar në nenin 66, shkronja “b”, të KP-së dhe nenin 328, pika 1, shkronja “d”, të Kodit të Procedurës Penale (KPP).
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO e Apelit), me vendimin nr. 205, datë 24.09.2021, ka vendosur ndryshimin e vendimit nr. 60, datë 27.07.2021 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, revokimin e vendimit të pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe kthimin e akteve Prokurorit të Posaçëm për të proceduar, në bazë të nenit 329/c, pika 3, të KPP-së, pasi imuniteti parlamentar në kohën e procesit të ngritur ndaj kërkuesit përbënte thjesht një pengesë të përkohshme procedurale për procesin penal, i cili duke qëndruar i pushuar përpara Kolegjit të Gjykatës së Lartë, me rënien e kushtit rifillonte ndjekja penale. Kundër këtij vendimi kërkuesi ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar shfuqizimin e këtij vendimi dhe lënien në fuqi të vendimit të GJKKO-së së Shkallës së Parë.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 1106, datë 21.12.2021, ka vendosur mospranimin e rekursit ndaj vendimit nr. 205, datë 24.09.2021 të GJKKO-së së Apelit, duke arsyetuar se të gjitha pretendimet e ngritura në rekurs nga kërkuesi nuk janë të atilla që të cenojnë vendimmarrjen e asaj gjykate, pasi nuk ka mosrespektim ose zbatim të gabuar të ligjit material ose procedural me rëndësi për njësimin ose zhvillimin praktikës gjyqësore apo me pasojë pavlefshmërinë e vendimit, pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e provave në dëm të shtetasit që ka paraqitur rekurs, si dhe nuk rezulton që vendimi i ankimuar është në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Në datën 09.05.2022, kërkuesi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) me ankim kushtetues individual, për kundërshtimin e vendimit të Gjykatës së Lartë.


II

Pretendimet e kërkuesit

Kërkuesi në kërkesën e tij ka parashtruar, në mënyrë të përmbledhur, se vendimi gjyqësor i kundërshtuar i ka cenuar:Parimin e sigurisë juridike dhe gjësë së gjykuar (res judicata), pasi vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nr. 6, datë 14.09.2019 nuk është prishur, as nuk është vendosur rishqyrtimi i çështjes dhe ndjekja penale është parashkruar. Pretendimi i akuzës se cilësia e të pandehurit është ruajtur për 12 vjet është i pabazuar dhe në kundërshtim me ligjin, pasi kjo cilësi ruhet derisa merr formë të prerë vendimi i pushimit të çështjes. Ligjvënësi e ka hequr mundësinë e rifillimit të ndjekjes penale kur ajo është pushuar me motivin se mungon autorizimi dhe ky fakt është konstatuar me vendim gjyqësor të formës së prerë. Vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nuk është në përputhje me rrethanat e reja. Ai jo vetëm që nuk ka mbështetje ligjore, por vjen në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike.
Standardin e arsyetimit të vendimit, pasi vendimit i mungon arsyetimi rrëzues i fakteve të pretenduara nga pikëpamja e logjikës, përmbajtjes dhe formës, si dhe është kontradiktor.
III

Vlerësimi i Kolegjit

Për legjitimimin e kërkuesit
Çështja e legjitimimit (locus standi) është një ndër aspektet kryesore që lidhet me inicimin e një procesi kushtetues. Sipas neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pikat 1, shkronja “i” dhe 2, të Kushtetutës, si dhe nenit 71 të ligjit nr. 8577/2000, çdo individ, person fizik ose juridik, subjekt i së drejtës private dhe publike, mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për gjykimin përfundimtar të ankesave kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë.
Ankimi kushtetues individual, në çdo rast, duhet të plotësojë kriteret e nenit 71/a të ligjit nr. 8577/2000, që lidhen me shterimin e mjeteve juridike, afatin e paraqitjes së kërkesës, pasojat negative të pësuara në mënyrë të drejtpërdrejtë e reale, mundësinë për rivendosjen e së drejtës së shkelur, si dhe rregullimet e veçanta ligjore të shqyrtimit paraprak të kërkesës. Këto kritere paraprake të pranueshmërisë së kërkesës janë të natyrës kumulative, pra mjafton mosplotësimi i njërit prej tyre që kërkuesi të mos legjitimohet për vënien në lëvizje të gjykimit kushtetues.
Në këndvështrim të verifikimit të plotësimit të këtyre kritereve, Kolegji vlerëson se kërkuesi legjitimohet ratione personae, në kuptim të neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës, sepse ka qenë palë në procesin gjyqësor për të cilin është marrë vendimi objekt kundërshtimi, si dhe është bartës i të drejtave dhe lirive themelore të njohura nga Kushtetuta.
Një tjetër kriter paraprak, që duhet të përmbushet nga individi përpara se t’i drejtohet kësaj Gjykate, lidhet me shterimin e mjeteve juridike efektive. Sipas nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, Gjykata vendos për gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese, që individi pretendon se i janë cenuar nga akti i pushtetit publik. Qëllimi i këtij neni të Kushtetutës është, ndër të tjera, të mundësojë, brenda sistemit gjyqësor të zakonshëm, parandalimin ose riparimin e shkeljeve të pretenduara, përpara se të tilla pretendime të paraqiten në këtë Gjykatën (shih vendimet nr. 5, datë 17.03.2022; nr. 23, datë 29.04.2021; nr. 54, datë 24.07.2017 të Gjykatës Kushtetuese).
Duke qenë se mbrojtja kushtetuese ka një funksion subsidiar, ajo mund të kërkohet vetëm për një vendim përfundimtar, të çfarëdolloj forme, që përmbyll procesin gjyqësor. Cenimi i së drejtës për një proces të rregullt ligjor, e garantuar nga neni 42 i Kushtetutës, mund të pretendohet në këtë Gjykatë vetëm pasi të shterohen të gjitha mundësitë e ofruara nga sistemi i apelimeve dhe kjo vlen edhe në rastet kur procedurat gjyqësore paraprake çojnë në një rëndim të mëtejshëm ose në tejzgjatjen e cenimit të kësaj të drejte (shih vendimet nr. 14, datë 11.03.2021; nr. 29, datë 30.03.2017 të Gjykatës Kushtetuese).
Megjithatë, në jurisprudencën e saj në fushën penale Gjykata ka përfshirë në juridiksionin kushtetues edhe vendime gjyqësore të ndërmjetme, siç janë ato për caktimin ose zëvendësimin e masave të sigurimit personal, apo edhe ato për konfiskimin e pasurisë gjatë procedimit penal, për shkak të natyrës së këtyre vendimeve dhe pasojave që sjellin në të drejtat themelore të individit.
Në rastin e pretendimeve ndaj vendimeve gjyqësore për masat e sigurimit (caktimin ose zëvendësimin e tyre), të cilat janë vendime që jepen në procedura të veçanta në funksion të procedimit penal të themelit, Gjykata ka vlerësuar se ato bëjnë pjesë ratione materiae në juridiksionin e saj. Në rastet kur kërkuesi i ka shteruar mjetet e ankimit për masën e sigurimit penal “arrest në burg” dhe ankohet ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë për këtë masë, është vlerësuar se ky lloj vendimi gjyqësor konsiderohet përfundimtar për qëllimet e nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës (shih vendimin nr. 14, datë 11.03.2021 të Gjykatës Kushtetuese).
Edhe në lidhje me vendimet për konfiskimin e pasurisë është vlerësuar se ato kanë natyrë përfundimtare, pasi vendosin mbi të drejtën e pronësisë së individit. Ato janë rrjedhojë e një procesi autonom nga ai penal për përcaktimin e fajësisë dhe cenimi i së drejtës së pronësisë është pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre lloj vendimesh, që do të thotë se kërkuesit përfshihen në statusin e viktimës së të drejtës kushtetuese. Këto vendime janë përfundimtare, në ndryshim nga vendimet që jepen për sekuestrimin e pasurive, që janë vendime të ndërmjetme (shih vendimin nr. 48, datë 06.07.2015 të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimin nr. 135, datë 02.12.2021 të Mbledhjes së Gjyqtarëve).
Kolegji vëren se kërkuesi ka kundërshtuar në objektin e kërkesës në shqyrtim vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për mospranimin e rekursit kundër vendimit të GJKKO-së së Apelit, me të cilin është revokuar vendimi i pushimit të çështjes penale në ngarkim të tij. Me fjalë të tjera, kërkuesi kundërshton në këtë Gjykatë vendimin gjyqësor, i cili i ka hapur rrugë fillimit të procedimit penal në ngarkim të tij.
Për sa më sipër, vendimi nr. 1106, datë 21.12.2021 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i kundërshtuar nga kërkuesi, nuk është një vendim përfundimtar, në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, pasi jo vetëm që nuk vendos në mënyrë përfundimtare për thelbin e së drejtës së tij, që ka të bëjë me fajësinë ose pafajësinë për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohet, por as nuk është provuar se ai ka ndonjë efekt të tillë cenues në të drejtat themelore të kërkuesit, të cilat nuk mund të mbrohen gjatë gjykimit të zakonshëm.
Kolegji vlerëson se kërkuesi i ka të gjitha mjetet e nevojshme juridike për mbrojtjen e interesave të tij gjatë shqyrtimit të themelit të çështjes së tij, ku mund të ngrejë pretendime në lidhje me cilësimin juridik të fakteve ose cenimin e të drejtave të tij kushtetuese nga vendimi objekt i këtij gjykimi, si dhe të paraqesë të gjitha provat që i konsideron të nevojshme në mbështetje të pretendimeve të tij, përfshirë më pas edhe mbrojtjen kushtetuese në këtë Gjykatë.
Si përfundim, Kolegji çmon se kërkuesi nuk ka shteruar mjetet ligjore efektive në dispozicion, për rrjedhojë kërkesa nuk mund të kalojë për shqyrtim në seancë plenare.
 PËR KËTO ARSYE,

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në bazë të nenit 31/a, pikat 1 dhe 2, shkronja “d”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,

 V E N D O S I:

Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.



Skip to toolbar