4 nga 9 personat e shpallur në kërkim për dosjen “Tërmeti” janë larguar drejt Italisë, ndërsa 3 të tjerë ndodhen në Tiranë. Personat e shpallur në kërkim akuzohen si përgjegjës për humbjen e jetëve nga ndërtesat e shembura nga tërmeti i 26 Nëntorit. Ndërsa që prej ditës së shtunë po kryhen operacione për kapjen e tre personave që dyshohen se fshihen në Tiranë.
Burime nga policia bëjnë të ditur se autoritetet shqiptare i kanë bërë kërkesë autoriteteve italiane për të bërë të mundur lokalizimin e tyre. Ndërsa 3 të kërkuarit në Tiranë janë 2 ndërtues dhe 1 inxhinier.
Personat e shpallur në kërkim
1. Arben Qato pronar i Vila Palma
2. Dëshira Qato-shefe e urbanistikës në Kavajë (Gruaja e Arben Qatos)
3. Aldo Dakovelli, shef sektori në Kadastrën e Durrësit
4. Artemis Malko punonjës terreni në Kadastrën e Durrësit
5. Artur Cela, ish-drejtori i INUV
6. Flamur Gjuzi, ish-drejtori i ALUIZNIT Durrës
7. Artur Terziu, pronari i ‘Bar Barons’
8-9. Dy ndërtuesit e banesës së familjes Lala në Kënetë
Gjatë të shtunës u arrestuan 9 persona mes tyre zyrtarë, ndërtues, inxhinierë dhe specialistë. Nga veprimet e hetimore ka rezultuar se dëmtimet, shembjet e këtyre godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur dhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit. Ndaj tyre rëndon edhe akuza e vrasjes me dashje në mënyrë indirekte.
Në shënjestër të hetimeve janë ndërtesat, shembja e të cilave la pas viktima, si Konvaleshenca, hotel Mira Mare, hotel Tropikal, Vila Palma, pallati 6-katësh, por edhe ndërtesat e tjera të dëmtuara që janë shpallur pabanueshme.