Kryeprokurorja Arta Marku ka raportuar të enjten për “Raportin e Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2018”, ku nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes edhe dosjet e bujshme “339 dhe “184”. Lidhur me këto dy dosje, Marku ka deklaruar në Kuvend se iu ka kërkuar prokurorëve të dosjeve të nxjerrin sa më shpejt konkluzionet dhe të dërgojnë çështjet në gjykatë.
“Dosjet 339 dhe 184 kanë hyrë në historinë ë drejtësisë dhe politikës shqiptare. Janë regjistruar më 2016 të dyja, të vetmet veprime deri në fund të 2018 ishin përgjimet, ka pas vetëm transkripte. Në fund të 2017 u përcaktuan prokurorë të tjerë për 339 dhe një oficer i policisë gjyqësore. Kjo dosje kur u mor nga prokurorët e tjerë u transkriptuan të gjitha CD-të, janë dërguar për gjykim shumë persona. Këto çështje duhen zgjidhur, ka ardhur momenti. Prokurorët tani duhet të dalin në konkluzione. Ju kam kërkuar në çdo takim, që t’u japin zgjidhje këtyre çështjeve. Për nxjerrjen e sekretit po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Nisja e çështjes nuk është bërë pse dolën sekretet, por se nxjerrja e sekretit nga prokurorët përbën vepër penale dhe nuk mund të anashkalohet. Prokurorët duhet të dalin në konkluzione dhe t’i drejtohen gjykatës”, ka thënë Marku.
Pas prezantimit të raportit, ka ndërhyrë deputeti Myslim Murrizi, i cili ka komentuar “Raportin e Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2018” ku ka folur edhe për përgjimet e reja të publikuara nga Bild.
Pas komenteve të Murrizit fjalën e ka marrë përsëri Arta Marku, e cila i është përgjigjur shkurt Murrizit. “Përgjimet nuk janë indicie por një mjet për kërkimin e provës. Unë jam për të raportuar mbi punën e Prokurorisë” ka replikuar Prokurorja e Përgjithshme.