Drejt rrëzimit dekreti i Metës për Kodin Penal. Lleshaj: U vranë 224 policë

AKTUALITET


Pritet që gjatë seancës së të enjtes në Kuvend deputetët të rrëzojnë dekretin e Metës i cili ka kthyer mbrapsht ndryshimet e propozuara në Kodin Penal që parashikojnë dënime më të rënda për dhunën ndaj policëve, për bllokimin e rrugëve, për krimet kundër mjedisit si dhe për sigurinë ushqimore.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë fjalës së mbajtur në seancë tha se janë vrarë 224 policë dhe nëpër protestat e dhunshme janë plagosur me dhjetra të tillë, ndaj ndryshimet në Kodin Penal janë të domosdoshme. Ai ftoi deputetët që të miratojnë pro ndryshimeve dhe kundër dekretit të Metës.

Sipas ministrit Lleshaj, ata që do të ngrenë dorë ndaj policëve duhet ta mendojnë mirë, pasi me ndryshimet në Kodin Penal dënimi do të jetë nga 1 deri në 5 vite burg.

“Kthimi i dekretit për ndryshime në Kodin Penal nga Presidenti duhet parë si një mundësi për t’iu rikthyer kësaj teme me rëndësi shumë të madhe. 224 punonjës të Policisë së Shtetit kanë dhënë jetën në katër dekada, qindra të tjerë janë plagosur, gjymtuar, kanosur, etj. dhe në shumë raste autorët kanë mbetur të pandëshkuar, për arsye të Kodit Penal. Ne nuk mund të lejojmë më që policët e Shqipërisë të vriten, të kanosen, të gjymtohen.

Për këtë arsye ndryshimet e reja në Kodin Penal kanë parashikuar rëndim të masës së dënimit për disa vepra që ushtrohen ndaj punonjësve të policisë, kryesisht goditja dhe kanosja për shkak të detyrës, janë ato vepra që do të ndëshkohen më rëndë. Për të gjithë ata që do tentojnë këto vepra në të ardhmen, nuk ka më gjobë, por vetëm dënim me burg që fillon nga 1 deri në 5 vjet, nëse bëhet fjalë për dy veprat që thashë më sipër. Me këto masa do i japim policit mbrojtje të nevojshme, që iu duhet për të kryer detyrën me përkushtim.

Parashikohet ndërhyrje dhe në nenin e armëmbajtjes pa leje. Shqipëria më ‘97 është mbushur me armë, që kanë rënë në duart e shqiptarëve dhe civilëve. Shumica e shqiptarëve nuk e dinë çfarë ndodhi në vitin 1997, që ishte një tragjedi shumë e rëndë, ku mes të tjerash ndodhi hapja e depos së ushtrisë dhe me këto armë u vranë policët, mbi 600 qytetarë, ndër armët janë trafikuar dhe në vendet e tjera, duke ndihmuar krimin e organizuar.

Dënimet e dhëna ndaj personave të kapur me armë ka qenë i pamjaftueshëm. Në mjaft raste dënimet kanë munguar, ndonëse këto armë përdoren për krim. Ka ardhur koha që qytetarët të ndahen nga këto armë. Do të rëndojmë edhe kushtet e marrjes së armëve me leje, pasi ka dhe shumë armë me leje, mbi 109 mijë armë, që jo vetëm kanë shkaktuar masakra, kanë shkaktuar edhe viktima njerëzore. Po përpiqemi që armën ta bëjmë një mall shumë të vështirë të aksesueshëm për këdo, me qëllim që të ulim riskun për sigurinë dhe t’ua besojmë atë organeve të specializuar.

Një nen tjetër i kodit penal që ndryshohet ka të bëjë me bllokimin e rrugëve. Mentaliteti për të bllokuar rrugët sa herë je i pakënaqur duhet të marrë fund. Zgjidhja e problemeve ka vetëm një derë dhe ajo është dera e policisë. Ata që do tentojnë të bllokojnë rrugët e vendit duhet ta llogarisin me masa të reja të parashikuar në Kodin Penal. Bllokimi i rrugëve nuk duhet të ndodhë më”, tha Lleshaj.

Gjatë muajve të verës presidenti Meta kthehu jo pak por ligje në Kuvend, dhe i përdori dekretet si “armë” e ftohtë kundër qeverisë. Deri tani Kuvendi ka rrëzuar shumicën e këtyre dekreteve dhe pritet që edhe gjatë të enjtes të rrëzojë dekretin për Kodin penal.



Skip to toolbar