Drogë dhe euro me veshje policie, kapen 5 devollinj

AKTUALITET


Një operacion i koordinuar midis policisë së Devollit, Korçës dhe strukturës FRONTEX ka arrestuar 5 persona në fshatin Kurilë (Devoll) pasi po përpiqeshin të kalonin në anën tjetër të kufirit 37.5 kg kanabis. 5 të arrestuarit mbanin veshur uniformën e policisë në mënyrë që t’i shmangeshin kontrollit të patrullave dhe për të transportuar pa pengesa sasinë me lëndë narkotike.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/451987232120371/

Policia ka publikuar inicialet e të arrestuarve, ndërkohë që ka shpallur në kërkim dy persona, të cilët rezultojnë të dënuar edhe më herët, një për vjedhje dhe tjetri për armëmbajtje.

“Të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të trafikojnë 37.5 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, duke u veshur me veshje të cilat mbanin mbishkrimin “Policia”, për ta pasur më të lehtë kalimin e sasisë së drogës nëpërmjet kufirit të gjelbër, në fshatin Kurilë, Devoll. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sasia prej 37,5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, tre automjete të përdorura nga autorët e dyshuar në pronësi të shtetasve D.P; M.Z., dhe B.D; një sasi lekësh, 18.550 Euro, veshje me mbishkrimin “Policia” dhe aparate celularë”, deklaroi policia, e cila shtoi se po vijon puna për kapjen e shtetasve R.T, dhe M.Z, për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si edhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë aktivitet kriminal.

Të arrestuarit

M.Z, 28 vjeç, banues në Korçë.

A.K, 30 vjeç, banues në Korçë.

K.N, 28 vjeç, banues në fshatin Drenovë, Korçë.

B.D, 36 vjeç, banues në Korçë.

D.P, 26 vjeç, banues në Elbasan.

Në kërkim

R.T, 23 vjeç, banues në fshatin Plasë, Maliq (i dënuar më parë për “Vjedhje”).

M.Z, 31 vjeç, banues në fshatin Moravë, Korçë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe armëmbajtje pa leje”).



Skip to toolbar