Droni rus mbi autokolonën e saj, ministrja gjermane shpëton mrekullisht në Ukrainë

BOTA


Një dron rus që po gjurmonte autokolonën e saj për ta sulmuar, ka bërë që vizita e ministres së Jashtme gjermane Analena Berbock në qytetin jugor të Ukrainës, Mykolaiv, të ndërpritej me urgjencë.

Një zëdhënës i ministrisë tha për mediat se ata zbuluan që misioni i saj po ndiqej nga një dron spiun rus, ndaj anëtarëve të delegacionit iu kërkua të ktheheshin me nxitim në mjetet e blinduara.

Droni mbi kokat e tyre u zbulua teksa përgatiteshin së bashku me ministren për të vizituar ujësjellësin e qytetit.

Sipas revistës “Der Spiegel”, fluturime të tilla zakonisht pasohen nga sulme ajrore dhe për këtë arsye u vendos që Berbock dhe kolegët e saj të largoheshin sa më parë.

Droni rus vazhdoi të ndiqte makinat në lëvizje për pak kohë dhe alarmi i luftës ra në Mykolaiv, por në fund nuk pati sulm.

Qyteti në fjalë ndodhet shumë pranë frontit dhe në fillim të luftës porti i tij ishte një nga objektivat e parë të forcave ruse. Forcat ukrainase deri më tani kanë mundur të mbrohen me sukses, por së fundmi zona është përballur me sulme të shpeshta me dronë dhe raketa. Ndërkohë, porti i Mykolaiv mbetet i mbyllur për shkak të luftës.

Sakaq, të shtunën në mbrëmje, ministres së Jashtme gjermane iu desh të qëndronte për 20 minuta në një strehë në Odessa, pas një alarmi për sulm ajror.

Një shpërthim ndodhi në afërsi të qytetit, por nuk dihet se cili ka qenë objektivi dhe nëse ka viktima. Përpara vizitës së ministres së Jashtme, katër persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në dy sulme me dron rus në Odesa.



Skip to toolbar