Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Agron Duka ka deklaruar në emisionin “Real Story” se ka deputetë në Parlamentin e Shqipërisë që nuk i ndihet zëri prej 4 vitesh, ndërsa Ervin Salianji ishte një njeri tepër aktiv dhe me shumë vlerë në opozitë, pasi ka arritur dhe fitore me këta të fundit.
“Deputetët i monitorojnë sa herë flasin në parlament. Na anatemojnë dhe thonë që njëri nuk ka folur fare, ky sa merr rrogën kot, ndoshta mund të kenë dhe ndonjë farë të drejte se ka njerëz aty që katër vjet nuk ndihet zëri. Nga ana tjetër, ky çuni është një nga njerëzit më aktiv që ka opozita dhe është munduar të bëjë punën e vetë. Është njëri aktiv, ka pasur fitore në krahun opozitar që janë të vështira, me pikatore në opozitë. Ky mund të jetë te të vetmit”, tha ai.
Ndërsa, Kryetari i LZHK-ës, Dashamir Shehit u shpreh se vazhdimisht ndërkombëtarët kanë tentuar të ngrenë komisione me opozitën. Sipas tij, fatkeqësisht grupi i Berishës ka hapur një lloj sherri me ndërkombëtarët, që nuk është çështje principi.
“Ndërkombëtarët merren një herë me ata që janë në zyrë, e dyta merren me faktorët që janë në opozitë dhe që janë më aktivë. Ndërkombëtarët nuk është se nuk janë marrë me opozitën, vazhdimisht kanë tentuar të ngrenë grupe opozitare alternative, t’i mbështesin. Po ti mbani mend zgjedhjet e 2021 goxha mbështetje iu dha atyre gocave të reja, zonjës Hajdari, zhurmë e madhe në parlament. Problemi nuk është këtu. Puna është që grupi i Berishës me ndërkombëtarët ka hapur një lloj sherri që nuk është çështje principi, ata kanë atakuar një njeri. Shumë i janë përgjigjur negativisht. Unë gjykoj që një parti e madhe që do të vijë në pushtet duhet të rindërtojë marrëdhënie, jo vetëm korrekte, por ka mundësi t’i jap një shtysë. Ju mendoni se nuk e dini se çfarë po bën Edi Rama? Korrupsionin e kësaj qeverisje”, deklaroi ai./abcnews.al