Federata Shqiptare e Futbollit e ka vendosur që Edy Reja do të jetë trajneri i kombëtares edhe pas nëntorit, kur i përfundon kontrata, megjithëse ende nuk është diskutuar kontrata e re, e cila pritet të diskutohet pas përurimit të Arenës Kombëtare. Kjo është deklaruar nga Presidenti i FSHF, Armando Duka, i cili është shprehur optimist për këtë çështje gjatë një vizite inspektuese për ndërtimin e stadiumit të ri të Kukësit.
“Reja do të jetë trajneri i ardhshëm i Shqipërisë, por se kur do ta bëjmë kontratën këtë s’e them dot. Duhet ta diskutoj me Rejan”, deklaroi Duka nga Kukësi, ku edhe dha sigurinë se Arena Kombëtare do të jetë gati për ndeshjen me Francën. Sipas tij, pavarësisht se ende vazhdojnë punimet, Arena kombëtare do të jetë gati më 17 nëntor, e cila është data e çlirimit të Tiranës, por që tashmë do të mbahet mend edhe për ndërtimin e Arenës Kombëtare.
“Nga Kukësi të thuash që do të jetë gati Arena më pëlqen. Do të jetë gati sepse atje ishim dhe pas një vizite kuptuam se ka shumë punë për t’u bërë, por sigurisht që do të inaugurohet me Francën. Tashmë kemi ndarë edhe ftesat e kur ndajmë ftesat në shqiptarët e bëjmë dasmën me patjetër”, u shpreh kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Ndërsa sa i përket stadiumit të Kukësit, Duka u shpreh i bindur se punimet e stadiumit të ri që ka nisur ndërtimin në fillim të muajit gusht do të jetë gati në sezonin e ardhshëm. “Në fakt është një ngjarje shumë e pazakontë që të vish në Kukës për ndërtimin e një stadiumi të ri. Shumëkush është kritik se thonë ç’doni në Kukës për një stadium të ri. Në fakt Kukësi me gjithë kontributin që ka bërë në 6-7 vitet e fundit, por edhe me dashurinë që ka populli e meritonte një stadium të tillë. Objektivi është që sezonin tjetër Kukësi të luajë në këtë stadium që është i standardeve më të mira”, deklaroi kreu i FSHF.