Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka marrë këtë të martë vendimin për padinë e familjarëve të Gërdecit. Ndonëse, cështja është rihapur në Shqipëri, Gjykata e Strasburgut konstanton shkelje në procesin e realizuar ndër vite.
“Në çështjen Durdaj dhe të tjerët kundër Shqipërisë, Gjykata ka konstatuar shkelje të aspektit procedural të së drejtës për jetën. Çështja kishte të bënte me një shpërthim në një objekt të ngritur nga autoritetet shtetërore për çmontimin e armëve, makinerive dhe pajisjeve të forcave të armatosura të çmontuara dhe të vjetruara. Në total, 26 persona humbën jetën dhe mbi 300 u plagosën. Gjykata konstatoi se kërkuesve iu ishte hequr mundësia për të marrë pjesë në mënyrë efektive në gjykimin penal. Për më tepër, procedimi penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes për shpërdorim detyre është ende në pritje, duke lënë kështu kërkuesit pa një përfundim përfundimtar për përgjegjësinë e tij edhe më shumë se 14 vjet pas shpërthimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Sakaq, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të pranojë kërkimin e prokurorisë respektive për thirrjen e 52 dëshmitarëve dhe 19 të pandehurve në çështjen e mëparshme për tragjedinë e Gërdecit, në funksion të procesit penal në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu i cili akuzohet për shpërdorim detyre lidhur me atë ngjarje.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin e Mediut.