Dvorani rrëzon Metën për Xhaferllarin: More kompetencat e KED. Vorpsi është anëtare

AKTUALITET


Kreu i KED-së, Ardian Dvorani ka rrëzuar dekretin e Metës për përzgjedhjen e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Kushtetueses duke argumentuar nga ana ligjore se tashmë në këtë post është zgjedhur Arta Vorpsi.  Duke i cilësuar si të pavërteta të gjitha thëniet dhe qëndrimet e presidentit Meta në lidhje me procedurën e renditjes në liste të Marsida Xhaferllarit, në një reagim të gjatë kreu i KED-së, akuzon presidentin Meta se përmes përzgjedhjes së Xhaferllarit ka shkelur jo vetëm afatin 30 ditor për të dhënë vendimin e tij për kandidaten, që është detyrues për secilin institucion, por mori kompetencat e KED-së për renditjen e kandidatëve në listë. Kjo pasi Xhaferllari është e kartërta në listë dhe presidenti e ka detyrim ligjor të zgjedhë një nga tre kandidatët e renditur të parët në listë dhe të mos shkojë përtej treshes së kandidatëve. Kjo kompetencë, thotë Dvorani, i përket KED-së, dhe hartuesit e Kushtetutës e kanë menduar në këtë mënyrë vetëm që përzgjedhja e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese të mos varet nga “humori i politikanëve”, sikur po ndodh aktualisht.

“Kushtetuta është e drejtpërdrejtë dhe nuk përcakton asnjë përjashtim: organi i emërtesës është i detyruar të përzgjedhë vetëm ndërmjet tre kandidatëve të listuar në tri vendet e para nga KED. Pa asnjë përjashtim në raste dhe pa asnjë dallim mes organeve të emërtesës, përfshirë Presidentin,  Kushtetuta nuk i njeh asnjërit prej tyre “lirinë” për të emëruar përtej tri emrave të parë të renditur nga KED, e cila në thelb do të përbënte uzurpimin e kompetencës unike kushtetuese të renditjes së kandidatëve nga KED, i cili është organ kushtetues. 

Një nga motivet për të cilat me ndryshimet  kushtetuese të vitit 2016 u sanksionua në Kushtetutë kjo procedurë dhe ndarje kompetencash kushtetuese, ishte edhe heqja nga duart, interesat dhe humoret politike apo të çfarëdo natyre të institucioneve e mëparshme të emërtesës,  pra nga Presidenti dhe Kuvendi, të lirisë për të përzgjedhur gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, sipas qasjeve të tyre individuale apo të grupimeve  të ndryshme të interesit që i përbënin apo i lidhnin interesat me këto organe. 

Pikërisht për këtë qëllim, duke pasur parasysh se si zgjidheshin gjyqtarët dhe se si bllokoheshin procedurat e emërimit sipas humoreve dhe interesave politike apo të natyrave të tjera, verifikimi i kandidatëve dhe renditja e tyre iu caktua një organi kushtetues të ri, të pavarur prej tyre dhe të përbërë vetëm nga gjyqtarë dhe prokurorë. Tashmë organet e emërtesës duhet të zgjedhin vetëm njërin prej tre kandidatëve të renditur në tri vendet e para nga KED. Madje këto organe duhet ta ushtrojnë këtë kompetencë brenda 30 ditëve, i cili, si afat prekliziv, nuk mund të zgjatet përtej këtij afati. Nëse nuk e ushtrojnë kompetencën në këtë afat, kandidati i renditur i pari është gjyqtari i zgjedhur/emëruar. Kjo nuk është më çështje interpretimi, por e përcaktimit të drejtpërdrejtë të Kushtetutës. Askush, nuk mund të shmanget nga respektimi dhe zbatimi i normave kushtetuese dhe i ligjeve të nxjerra në pajtim me të, pra edhe nga zbatimi procedurave dhe afateve të posaçme të ligjit të posaçëm, sikurse janë edhe nenet 7/b, 7/c dhe 7/ç të ligjit nr.8577/2000”, shkruhet në argumentimin e kreut të KED-së, Ardian Dvorani .

Ai i cilëson të papërshtatshme dhe jo etike të gjitha deklaratat e bëra nga Presidenti në lidhjen me procedurën e ndjekur nga KED për renditjen e kandidaturave, ndërsa shton se KED ka ezauruar të gjitha procedurat e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve për të gjitha vendet vakante.  Cilido autoritet tjetër, përfshirë organet e emërtesës, kanë detyrimin të respektojnë vendimet e KED në këtë proces. Lidhur me afatin 30 ditor që Presidenti kishte në dispozicion dhe që e ezauroi, Dvorani argumenton dhe i kujton Metës nenin 149 ku shkruhet se vendimi i KED-së ka efekt të njejtë me dekretin e presidentit dhe si e tillë Arta Vorpsi e para e renditur në listën e KED-së është zgjedhur anëtare e Kushtetueses. “Përfundimisht, nëse i referohemi ligjit, në respekt të nenit 125 të Kushtetutës dhe të pikës 4 të nenit 7/b të ligjit nr. 8577/2000 (i ndryshuar), që kanë sanksionuar se  “Nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar.”,  në rastin kur organi i emërtesës nuk arrin të zgjedhë apo nuk e ushtron të drejtën e zgjedhjes  brenda këtij afati, atëherë vendimi i KED për listën e renditjes së kandidatëve  ka efekt të menjëhershëm ex legge, të njëjtë me dekretin e Presidentit, vendimin e Kuvendit apo vendimin e Gjykatës së Lartë për emërimin/zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. E  njëjta vlerë dhe efekt  duhet ti njihet edhe Vendimit me nr. 132 datë 21.09.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ku kandidatja e renditur e para në Listën Përfundimtare, Znj. Arta Vorpsi, konsiderohet e emëruar si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese”, përfundon Dvorani./realstory.al



Skip to toolbar