Dy fakultete, të Universitetit Politeknik dhe Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, nuk do të rikthehen në mësim nesër, si gjithë fakultetet e tjera të këtyre universiteteve pas tërmetit të 26 nëntorit, por më 6 janar. Shtyrja e nisjes së mësimit është pikërisht për dëmet e shkaktuara nga tërmeti në auditorët e këtyre dy fakulteteve.
Ky vendim është marrë nga Rektorati i këtij universiteti, si rezultat i situatës së jashtëzakonshme të krijuar nga tërmeti dhe pas analizimit të raporteve të vlerësimit të godinave.
Por me të njëjtën situatë do të përballen dhe studentët e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, për të cilët është pezulluar mësimi gjatë gjithë muajit dhjetor. Edhe këta studentë do të duhet të presin datën 6 janar për të rinisur normalisht procesin mësimor. Edhe godinat e Universitetit të Mjekësisë pësuan dëme prej lëkundjeve të tërmetit të 26 nëntorit, ndaj rektori i këtij universiteti, Arben Gjata mori vendimin që mësimi të nisë me 6 janar.
Ndërkohë, mësimi për studentët e Universitetit të Tiranës ka nisur me datë 10 dhjetor, duke iu kthyer normalitetit, me vendim të Rektorit Mynyr Koni, i cili u ka kërkuar fakulteteve të propozojnë mënyra për zëvendësimin e orëve të humbura.