Kapen “kopshtarët” shqiptarë në Angli, mbillnin kanabis

AKTUALITET


Dy të rinj shqiptarë janë dënuar në Britaninë e Madhe pasi u kapën në një fabrikë kanabisi. A. Samurri, 36 vjeç dhe E. Vukza, 30 vjeç, u kapën pas operacionit policor më 29 Korrik në Thornbay. Dy të rinjtë u munduan të arratisen nga pjesa mbrapa e shtëpisë ku kultivohej droga, por pa sukses. Samurri u ndalua te porta, ndërsa Vukza në kopsht së bashku me 1170 Paund.

“Banesa u kontrollua dhe ishte shndërruar në një fermë të madhe kanabisi”, tha prokurori i çështjes Jenny Haigh. Autoritetet gjetën 56 rrënjë kanabis në një dhomë dhe 34 në një tjetër. Të gjitha donin edhe disa javë për t’u korrur. Sipas hetimeve, vlera e saj nëse do të dilte në treg llogaritej mes 25.000 deri në 75.000 Paund.

Dy të rinjtë pranuan se ishin marrë me prodhimin e drogave të Klasit B. Avokati mbrojtës i Samurrit tha se klienti i tij kishte vepruar në momente dëshpërimi. “Ai ka humbur një gisht në një aksident. Pasi vuajti për të gjetur punë erdhi në Britani me kamion. Por kur erdhi ishte në situatë të vështirë pasi nuk kishte vend ku të jetonte apo mundësi të ushqehej. Kështu nisi të punojë në fabrikën e kanabisit ku iu sigurua të paktën ushqimi”, tha Alex Bousfield.

Më tej avokati tha se Samurri ishte thjesht kopshtar dhe përfitimet nga kjo veprimtari kriminale i merrte dikush tjetër. Ndërkohë mbrojtësi i Vukzës tha se klienti i tij kishte shkuar në Mbretërinë e Bashkuar për jetë më të mirë pasi punoi për nëntë vjet si kamarier. Ai punoi në Londër dhe dërgoi para në Shqipëri për nënën dhe vëllain më të vogël.

“Udhëtoi në Middlesbrough për punë, por nuk gjeti gjë. Në këtë moment i thanë që mund të jetonte në banesën në fjalë, por duhej të kujdesej për bimët”, tha Paul Green. Më tej, ai shtoi se Vukza kishte vepruar siç i kishin thënë, nuk mori asnjë përfitim dhe kishte planifikuar të kthehej në Shqipëri. Por asnjë nga argumentet e paraqitura nga shqiptarët nuk e ndaluan gjykatësin e çështjes që t’i dënonte me nga një vit heqje lirie. Përveç kësaj, ata do të deportohen në atdhe sapo të dalin nga burgu.



Skip to toolbar