Shoqata e ish policëve ka reaguar për përgjimet e publikuara nga Bild, duke kërkuar reagimin e menjëhershëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe nisjen e hetimeve nga SHÇBA, për arsye se dy prej personave të përgjuar janë aktualisht oficerë të policisë në detyrë.
“Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim 2013 ka ndjekur me shqetësim të madh përgjimet e ditës së hënë, të gazetës gjermane BILD. Për fat të keq u provuan denoncimet e SH.P.P.L 2013 në mënyrë konstante nga 2013 e në vijim. Në përgjimet e BILD rezultojnë drejtues të Policisë së Shtetit të përfshirë në fushatën elektorale të Partisë Socialiste, në pazaret e shitblerjes së votës, në shantazhet dhe intimidimet e votuesve. Akt tepër i rëndë për Policinë e Shtetit, akt që duhet dënuar”, shprehet shoqata e ish policëve.
Sipas kësaj shoqate, Arben Keshi pas zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë Dibër u shpërblye me emërim në detyrën Shef Komisariati në Bulqizë, të cilin më pas e lëvizën për abuzim me detyrën. “Aktualisht, Keshi mban detyrën e shefit të Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Vendore Dibër. Ndërsa Sali Skura, në vitin 2016 ishte shef i Komisariatit në Kamëz, ndërsa sot është drejtor i Kufirit dhe Emigracionit në Drejtorinë Vendore Kukës. Në këto rrethana i kërkojmë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të prononcohet publikisht për qëndrimin e tij ndaj përfshirjes së Punonjësve të Policisë në shitblerjen e votës dhe presionit ndaj votuesve, veprime të cilat kanë cenuar rëndë imazhin e Organizatës së Policisë. Mosreagimi ndaj këtij fenomeni implikon drejtpërdrejt Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe kupolën drejtuese të saj”, deklaron shoqata.
Ish policët i bëjnë thirrje gjithashtu SHÇBA-së të fillojë menjëherë hetimet dhe të vendosë para drejtësisë këta punonjës policie dhe kushdo tjetër i përfshirë në pazare votash, intimidime e presione në abuzim flagrantë me detyrën. “Njëkohësisht edhe institucionet trajnuese dhe mbikëqyrëse përkatësisht OSBE, PAMECA dhe ICITAP të ndërhyjnë përballë këtij skandali në Policinë e Shtetit”, përfundon deklarata.