Dy shkollat e reja, “John F. Kennedy” dhe “Nënë Tereza” në Kodër Kamëz, do të hapin dyert në shtator. Ato janë pjesë e një sërë investimesh, që kanë transformuar zonën dhe rrisin vlerën e pronave përreth. Kryetari i Bashkisë së tiranës, Erion Veliaj inspektoi detajet e fundit të punës, kur tha se ata që sot kundërshtojnë çdo punë publike të bashkisë, dinë vetëm të shkatërrojnë.
“Jemi shumë të lumtur si është transformuar e gjithë zona e Kodër Kamzës. Nuk është vetëm ky kompleks shkollor, por e kemi filluar pak më poshtë, me godinat e reja të studentëve, të zaptuara që nga viti ‘97-’98, kur më pas u dogj edhe biblioteka. Janë histori të tmerrshme të atyre që sot protestojnë për ‘liri dhe demokraci’, të cilët i kemi parë kur qeverisnin se çfarë nënkuptonin ata me liri dhe demokraci: Zapto, shkatërro, digj! Mandatin e parë u morëm me çerdhet dhe kopshtet në Njësinë 11, kurse këtë mandat kemi mbajtur premtimin më historik që është bërë ndër vite, u siguruam që nuk ka më shkolla me dy turne”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë dha lajmin e mirë për studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, të cilët në tetor do t’i kenë gati 8 godinat e reja universitare. “Është një hapësirë e jashtëzakonshme, e dizenjuar nga arkitekti Winy Maas, që do të përdoret edhe nga fakultetet e UBT-së, edhe nga komuniteti i “start up”-eve”, shtoi ai.
Veliaj i bëri thirrje klasës politikës t’i japë fund kulturës së bllokimit të punëve të qytetit. Ai nënvizoi se koha ka treguar se kush ka kundërshtuar projektet e Tiranës, i ka humbur të gjitha betejat.
“E mbani mend debatin që kemi pasur me ish-Rektorin dhe lloj-lloj politikanësh. Një politikane ngjallte panic kur thoshte se shkolla “Sami Frashëri” do të shkojë në Paskuqan; një tjetër merrej me shkollën këtu. Por këto idiotësi dhe histeri duhet të marrin fund. Kultura e të mos lënit tjetrin të punojë duhet të marrë fund! Kush i kundërshton projektet e Tiranës duhet të kuptojë se s’ka shans të fitojë, i kanë humbur të gjitha betejat. Ne kemi parë presidentë kundër këndit të lojërave, kemi parë kryeministra, ish-kryeministra, ish-kryetarë bashkie, kemi parë lloj-lloj personazhesh që kundërshtojnë Tiranën, por progresi nuk ndalet dhe rezultati është në këtë fazë 101 me zero për Tiranën”, theksoi kryebashkiaku.
Falë këtij investimi, fëmijët e zonës nuk do të harxhojnë më kohë duke udhëtuar për në shkollë me autobusë, por kanë mundësi të arsimohen në shkollën më të afërt banesës së tyre.