Ngec në vetting gjyqtarja e Tiranës Manjola Bejleri. Trupa gjyqësore e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Olsi Komicin, vendosën sot shkarkimin e gjyqtares Bejleri.
Në seancën e mëparshme Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mungese burimesh financiare në vlera të konsiderueshme për krijimin e pasurive si pasojë e pamundësisë për të provuar ligjshmërinë e disa burimeve të deklaruara, që u kundërshtuan nga gjyqtarja e Tiranës Manjola Bejleri.
Komisioni konstatoi mosdokumentimin e burimeve të ligjishme që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe totale 104 m2 në vitin 2003 kundrejt vlerës 41 mijë e 440 USD, pasuri e rivlerësuar në vitin 2017 në vlerën 13 milionë lekë.
Gjithashtu nga KPK u ngritën dyshime se gjyqtarja Bjeleri mund të ketë fshehur një automjet në emër të vëllait të saj. Sipas Sanxhaktarit, subjekti ka deklaruar përdorimin e një automjeyti tip Volskëagen Passat të blerë nga vëllai në vitin 2010 në shumën 1 milion lekë.
Bejleri u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërkohë që dha shpjegime për një pjesë të 30 denoncimeve nga publiku, megjithëse prej Komisionit nuk u relatuan konstatimet e këtyre gjetjeve.
Manjola Bejleri e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës. Ajo ka qenë gjithashtu kryetare e shoqatës së gjyqtarëve.