Dyshohet për falsifikim të dokumenteve për prona, Apeli lë qeli ish-kreun e Kadastrës së Vlorës

AKTUALITET


Gjykata e Apelit të Vlorës ka lënë në “arrest me burg” ish-drejtorin e Kadastrës së Vlorës, Klodian Troci, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.

Po ashtu në “arrest ne burg” u lanë edhe Spiro Duni dhe Bardhyl Gjika, drejtor i administrimit të pronave në këtë qark.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesës së tij në Tiranë, policia i gjeti 65 mijë euro. Por Klodian Troci ka mohuar që shuma e konsiderueshme të jetë e tij.

Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë të mërkurën, ai deklaroi se paratë janë të vëllait të tij, që merret me ndërtime. Por Prokuroria ka dyshime se shuma e madhe e eurove rrjedh nga burime të paligjshme.

Sipas dosjes së Prokurorisë, që nga viti 2019 deri në vitin 2021 Klodian Troci, Bardhyl Gjika dhe specialisti në Drejtorinë e Administrimit të Tokave pranë Këshillit të Qarkut të Vlorës, Kreshnik Miho, kanë bashkëpunuar duke falsifikuar dokumente arkivore të pronësisë.

Troci ka punuar për një periudhë gati tremujore si drejtor në Drejtorinë e Pronave në Qarkun e Vlorës dhe më pas u zëvendësua nga Bardhyl Gjika, gjithashtu i arrestuar nga Policia.

Ky i fundit dyshohet se inskenoi vjedhjen e dy dosjeve të pronave në zyrat e Këshillit të Qarkut në Vlorë, me qëllim që të fshihnin falsifikimin e dokumenteve për llogari të shtetasit Spiro Duni.

Çështja e pronës në fjalë në fshatin Dhërmi ishte në proces gjyqësor pas dyshimeve për falsifikim të dokumenteve. Kur organet e drejtësisë kanë kërkuar t’u vihen në dispozicion dokumentet origjinale, drejtori Gjika, dyshohet se organizoi grabitjen më 10 tetor.



Skip to toolbar