Dy pjesëtarë të Marinës amerikane janë vënë në pranga pasi akuzohen se kanë spiunuar për Kinën. Të dy ata akuzohen se kanë ndarë informacion për Mbrojtjen Kombëtare të vendit me inteligjencën kineze në këmbim të parave.
Për rastin, prokurorët federalë kanë mbajtur një konferencë për shtyp në San Diego gjatë së cilës bënë publike edhe detajet rreth dy rasteve.
Zyrtarët federalë e kanë cilësuar rastin si thyerje serioze të sigurisë kombëtare.
Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm Matthew Olsen nga Divizioni i Sigurisë Kombëtare i Departamentit të Drejtësisë deklaroi: Jemi gati për të vendosur përpara përgjegjësisë të gjithë ata që tradhtojnë besimin e qytetarëve.
Dy marinsat janë identifikuar si 22-vjeçari Jinchao Wei dhe 26-vjeçari Wenheng Zhao.
Kurse, Randy Grossman, Prokurori i SHBA për Distriktin Jugor të Kalifornisë deklaroi: “Kur një ushtar apo një marins zgjedh paratë përpara vendit të tij dhe kalon informacion të Mbrojtjes kemi të bëjmë me një akt përfundimtar tradhtie. Duhet të jemi gati të veprojmë.”
Wei, i cili është bërë qytetar amerikan në 2022, dyshohet se ka dërguar dokumente, foto, video dhe manualë teknikë në Kinë. Kurse, Zhao akuzohet se i ka dhënë Kinës informacion sensitiv ushtarak, duke përfshirë këtu plane operacionale për një stërvitje madhore ushtarake.
Ky është vetëm rasti i fundit i taktikave të mundshme të spiunazhit nga Kina. Në fillim të këtij viti, SHBA, akuzoi qeverinë kineze për përdorimin e një balone spiune për të fotografuar site ushtarake të SHBA-së.