E akuzoi për vrasjen e Ahmet Krasniqit, Klosi-Berishës: Më ngatërron me Gazideden

Më të fundit


Kishin kaluar vetëm nëntë ditë nga vrasja e deputetit demokrat Azem Hajdari dhe Tirana vazhdonte të ishte e terrorizuar pas grushtit të shtetit që ndodhi më 14 shtator 1998 dhe, më 21 shtator, paka para mesnatës ndodh një vrasje tjetër e bujshme. Kolonel Ahmet Krasniqi, ish-ministër i Mbrojtjes në qeverinë në ekzil të Kosovës që drejtohej nga Bujar Bukoshi, u vra në mes të Tiranës, diku në zonën e ish-shtëpisë së Partisë sikur vazhdojnë ta quajnë edhe sot e kësaj dite në Tiranë zonën pranë Medresesë. Por në lidhje me këtë vrasje ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë përgjegjës ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi si njeriu që ka gisht në këtë çështje. Mirëpo në lidhje me këto akuza, ka reaguar edhe vetë zoti Klosi, i cili gjatë një interviste për gazetën “SOT”, u shpreh se Berisha e ngatërron atë me ish-kreun e SHIK, Bashkim Gazidede, ndërkohë që e akuzoi ish-kryeministrin se mbi të rëndojnë shumë vrasje, djegie e abuzime. Sipas tij, ka ardhur koha që Sali Berisha të hetohet për krimet e tij, duke e akuzuar ish-kryeministrin se është i vetmi politikan në Shqipëri që nuk e ka dashur kurrë Kosovën.

-Zoti Klosi, ish-kryeministri Sali Berisha ju akuzoi gjatë një interviste televizive se keni gisht në vrasjen e ish-ministrit të Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqi në 21 shtator të vitit 1998 në Tiranë, ndërsa ka thënë se ky rast duhet të gjykohet nga Gjykata Speciale. Si ju duken këto akuza dhe kush është përgjigjia juaj për Berishën?

Nuk është hera e parë që Sali Berisha ka akuzuar Fatos Klosin dhe Shërbimin Informativ Shtetëror se fshihen dhe kanë gisht për vrasjen e ish-ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi. Dhe kjo punë është përsëritur sa herë është dashur dhe Berisha ndodhet në pozita të vështira. Sali Berisha i ka akuzuat si petulla dhe unë i injoroj dhe i përbuz me forcë akuzat e tij në adresën time sa i takon vrasjes së kolonel Krasniqit në Tiranë. Domethënë siç bëhen petullat edhe Berisha bën akuzua sa herë që është në pozita të vështirë dhe kërkon të dalë në mejdan si një patriot dhe mbështetës i madh i Kosovës dhe UÇK-së. Saliu sa herë që i mbushte mendja se do të vendoset në qendër të vëmendjes nis e sulmon dhe akuzon pa lidhje dhe në hava. Kështu që nuk më bën përshtypje fare që Saliu më akuzon. Dikur mërzitesha që më akuzonte, por tani jo më, pasi të gjithë e dinë që Sali Berisha është një mashtrues. Pra, është një avaz i vjetër dhe Berisha e përsërit sa herë që i duket që bën efekte. Akuzat për këtë çështje janë shumë të vjetra dhe Berisha i bën pasi ishte me Shërbimin Informativ Shtetëror që drejtonte vetë dhe pandehte se edhe SHISH që drejtohej nga unë dhe qeveria socialiste bënte krime si SHIK-u i Gazidedes dhe Berishës. Nga kjo pikëpamje dua të theksoj se akuzat nuk janë absolutisht të vërteta dhe e ftoj Berishën që të vejë në prokurori të paraqesë provat që ka kundër meje. Por unë nuk kam lidhje me vrasjen e Krasniqit.

-Çfarë dinit ju për Kolonel Ahmet Krasniqin dhe vrasjen e tij?

Kolonel Ahmet Krasniqi, ka qenë ish-ministër i Mbrojtjes në qeverinë në ekzil të Kosovës që drejtohej nga Bujar Bukoshi dhe u vra në ‘98 në mes të Tiranës, diku në zonën e ish-shtëpisë së Partisë sikur vazhdojnë ta quajnë edhe sot e kësaj dite në Tiranë zonën pranë Medresesë. Vrasja e tij krijoi qysh në atë kohë shumë debat për faktin se u vra në shtetin shqiptar. Në Tiranë Ahmeti nuk ishte ilegalisht, të gjitha institucionet e shtetit shqiptar e kanë ditur, pasi ai banonte në Tiranë dhe ajo banesë kishte adresë. Në Tiranë kalonin shumicën e kohës Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi dhe ata që quheshin ministra të qeverisë kosovare në ekzil. Pra ata ishin si në shtëpinë e tyre këtu. Por ne si Shërbim Informativ nuk dinim asgjë për vrasjen e Krasniqit. SHISH nuk është organ hetuesi, por një institucion që përpiqet t’u dalë përpara gjërave dhe nuk i heton nga mbrapa. Dhe ne nuk dinim gjë. Siç e thashë Krasniqi ishte në Shqipëri prej kohësh dhe nuk e konsideronim që ishte i rrezikuar asnjëherë dhe pas vrasjes së tij u mor prokuroria me këtë çështje dhe nuk arriti që ta zbardhte. Pra, nëse Berisha e di që ka vrarë SHISH Krasniqin, le të shkojë në prokurori.

-Dakord! Po Berisha a ka gisht në vrasjen e Krasniqit?

Nuk besoj! Pse do të ketë gisht Sali Berisha në vrasjen e Ahmet Krasniqi?

-Po vrasja e Krasniqit a ka lidhje me atë të ish-deputetit demokrat, Azem Hajdari meqenëse kanë ndodhur në harkun kohor të 9 ditëve larg njëra-tjetrës?

Jo nuk besoj edhe pse është diskutuar si problem që kanë pasur lidhje me njëra-tjetrën, por që nuk është arrituri në këtë pikë.

-Megjithatë pavarësisht këtij rasti, thuajse gjatë këtyre 22 viteve ju jeni target i sulmeve të Berishës. Përse Sali Berisha ju sulmon dhe akuzon juve? Ku është thyer Klosi me Berishën?

Unë e kam thënë që Sali Berisha më sulmon pasi ai e ka në natyrë që vetëm të shpifë. Berisha ka drejtuar personalisht Shërbimin Informativ në kohën kur ishte President i Republikës së Shqipërisë dhe drejtor kishte vënë Bashkim Gazideden, që merrte urdhrat e Saliut. Kështu që ai gjithmonë ka pasur idenë se Shërbimi Informativ kështu do të funksiononte si në kohën e tij. Madje SHIK-u i asokohe ka pasur një nam shumë të keq dhe mendon se çdo akuzë që bëhet në emër të SHISH mbase dhe besohet nga populli. Por asnjë nga akuzat e Berishës nuk qëndrojnë dhe SHISH i drejtuar nga unë dhe qeveria socialiste nuk e ka përdorur këtë institucion për reprezalje dhe krime, skundër ndodhin në kohën e Berishës, si vrasje, pengmarrje, etj. Pra, Berisha ka frikë dhe ai e di pse, andaj dhe sulmon SHISH dhe mua personalisht. Mos harroni që Sali Berisha është politikani më i inkriminuar shqiptar. Mbi të rëndojnë vrasje e djegie, abuzime të rënda me pushtetin, për të cilat ai duhet medoemos të dalë para drejtësisë dhe të mbajë përgjegjësi penale. Kështu që mosndëshkimi i këtij njeriu vë në pikëpyetje shumë gjëra në këtë vend, që nga reforma në drejtësi dhe deri te funksionimi i shtetit. Kaq.

-Po ju i trembeni një shtrirje të hetimeve në Shqipëri për UÇK nga Gjykata Speciale e Hagës?

Jo aspak. Le të shtrihet hetim dhe nuk kam frikë. Saliu ndoshta ka frikë se ka punuar kundër Kosovës dhe do t’i dalin horrllëqet dhe punët e pista që ka bërë kundër Kosovës, duke ndihmuar Serbinë dhe dalë kundër partnerëve ndërkombëtarë.

-Ndërkohë ju shpesh keni akuzuar Sali Berishën se ka punuar kundër Kosovës. Kush janë momentet kyçe që do të zbuloni për qytetarët dhe audiencën e gazetës sonë?

Absolutisht po! E di gjithë bota dhe të gjithë që Sali Berisha ka punuar hapur kundër Kosovës dhe janë dy rastet që unë i kam thënë për ju! Kështu Saliu del çdo ditë në TV për të hequr vëmendjen nga këto dy rastet që ai iu “nguli thikë pas shpine Kosovës dhe kosovarëve”. E para Berisha shkeli embargon në kohën e luftës së Kosovës duke furnizuar Serbinë dhe Millosheviçin me naftë. Ndërsa e dyta është qëndrimi i Berishës në Rambuje, i cili doli kundër marrëveshjes. Këto janë 2 momente shumë të rëndësishme proserbe të Berishës dhe që ka fakte që ai ka qenë njeriu dhe syri i Sllobodan Millosheviçit në Shqipëri. Ore, a kuptoni ju që Berisha bën kot si patriot, por që në të vërtetë asnjëherë nuk e ka dashur Kosovën? Saliu bën kot si patriot, por është njeriu më anti-shqiptar dhe më proserb që ka njohur historia shqiptare.

-Meqenëse jemi tek Kosova, a mund të na thotë Fatos Klosi se përse Sali Berisha nuk i ka pasur marrëdhëniet e mira me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova?

Sepse dihet që Bujar Bukoshi ka qenë më afër me Sali Berishën se sa Ibrahim Rugova me Sali Berishën. Saliu e ka mbështetur Rugovën me periudha sepse e dinte që ai ishte një figurë  e rëndësishme në Kosovë, ndërkohë që për problemet më konkrete ka qenë lidhur me Bujarin. Por duke oparak që Rrugova ishte figurë më e madhe se Berisha, ky i fundit nisi konfliktet me të, duke u distancuar. Mos harroni që asokohe kur unë erdha kam gjetur në kasafortën e SHIK-ut një ndihmë goxha të madhe me para që Bujari ia kishte dhënë Shërbimit Informativ Kombëtar dhe Berishës. Kështu që Saliu ishte një njeri që nuk të afronte po nuk kishte interes dhe të sulmonte po ishe mbi të dhe figurë më e madhe se ai. Pra, si përfundim nuk shqetësohem fare nga sulmet e Saliut, por ky i fundit duhet të shqetësohet, se ka bërë maskaradën Shqipëri dhe në Kosovë, ku në rast hetimesh ai shkon tek vendi dhe pleqëron, nëse ka vullnet nga drejtësia.



Skip to toolbar