Zëvendës kryeministri Erion Braçe shkruan se ka një kërkesë të jashtëzakonshme për presidentin Meta: Të shpallë “Nder i Kombit” veteranët e Luftës Nacional Çlirimtare”. Braçe shkruan se në gjithë këto vite nuk e ka parë presidentin të nderojë heronjtë e Luftës, ndërkohë që ka shpërndarë shumë dekorata dhe shumë prej tyre që e kanë marrë as nuk e kanë merituar. Madje Braçe shkruan se këto dekorata janë përdorur edhe si lavatriçe për të larë aktivitetin kriminal.
“President, a mundet që dhe ju, në cilësinë e detyrës që mbani, të bëni një akt, të kryeni një detyrë dhe, të shpallni “Nderi i kombi” veteranët e Luftës Antifashiste, Nacional Çlirimtare?! Nuk ju kam parë në asnjë prej aktiviteteve, konferencave, festave të organizuara në çdo qytet edhe në ditët e çlirimit të tyre (përjashtuar një ceremoni të vetme, ate të 16 shtatorit ditës së konferencës së Pezës). Unë mendoj që veteranët e Luftës e meritojnë një titull të tillë! Janë dekoruar shumë e shumë shtetas në këtë vend, i fundit edhe presidenti i UEFA-s! Shumica e të dekoruarve në periudha të errëta, as që e kanë merituar, përkundrazi dekorata ka shërbyer si lavatriçe për të larë e tharë aktivitetin e tyre kriminal. Tani është dita të nderojmë HERONJTË LUFTËS! Shpalli NDERI I KOMBIT president!”, shkruan Zv.kryeministri Erion Braçe