Me lot në sy dhe e veshur në të zeza, bashkëshortja e 30-vjeçarit Sajmir Greku, i cili doli i gjallë nga rrënojat, por që ndërroi jetë pas disa orësh në spital, rrëfen tragjedinë dhe parandjenjën e saj. Ajo tregon se ishte vetëm fati që e mbrojti atë dhe vajzën, që natën e 26 nëntorit nuk ndodhej në shtëpi, në pallatin që u shemb në Thumanë dhe që zuri poshtë tre anëtarët e kësaj familje, Saimir Greku, 30 vjeç, Pëllumb Greku, 57 vjeç, dhe Çelike Greku, 57 vjeç.
Bashkëshortja e Sajmirit, e mbetur e ve dhe më një vajzë të vogël për të rritur, tregon bisedën e fundit me bashkëshortin, sikur ta parandienin që të dy se do të ishte e fundit.
“Për fatin tim dhe të vajzës rastisëm të ishim te prindërit e mi. I ramë në telefon tim shoq, por nuk m’u përgjigj. Pastaj më merr kushërira dhe më thotë që pallati jonë ishte shembur i gjithi, dhe që kanë ngelur brenda Miri dhe prindërit. Iu thashë të shkojnë të ndihmojnë për të hequr gurët. U ngrita, u vesha dhe u nisa direkt me babanë e xhaxhain tim, qëndrova aty deri kur Miri doli, e pashë me sytë e mi.
Ndenja dhe te spitali gjatë gjithë kohës, pasi doli nga operacioni e takova, por nuk ishte në gjendje as të më shikonte, as të më fliste. Pastaj qëndrova sërish aty, por për fatin e keq nuk arriti të mbijetonte dhe në 5 të mëngjesit ndërroi jetë”, tregon e reja për News 24.
Çfarë iu tha kur iu përcolli?
“Më tha të rrija deri të dielën që të kënaqej me vajzën dhe që do na përcillte ai me makinë. E hipte gocën sipër makinës, duke e puthur, pasi e donte shumë dhe e kishte pikën e dobët. Thoshte që për vajzën do bëjë gjithçka, edhe pse lodhej e vritej. Thoshte që do bënte gjithçka për të, që të kishte të gjitha kushtet. Ai aplikoi dhe për vizë amerikane, që të shkonte te daja, për t’i ofruar një të ardhme më të mirë vajzës. Ata i dhanë një përgjigje negative dhe po bënte sërish letrat, sepse i dhanë shpresë, vetëm që vajza të kishte të ardhme më të mirë, por që nuk arriti dot. Thoshte që do ta bëj vajzën balerinë, më të mirë.
Ai thoshte se edhe sikur dhjetë fëmijë të kishte, vetëm këtë do të donte. Punonte në një fabrikë, merrej me xhama, kishte kolegë e pronarë të mirë. Para se të iknim biseduam për gjithçka, sikur na e ndjeu zemra që do ishte takimi i fundit. Nuk kishim folur më parë aq gjatë, sepse vinte i lodhur nga puna dhe flinte. Ndërsa atë natë ndjeni shumë, biseduam deri vonë, sikur na e ndjeu zemra që s’do bisedonim më kurrë. Të nesërmen folëm në kamera për tërmetin që ra në darkë dhe më tha “shyqyr që je atje, se ke frikë”. Bëj apel që vajza ime të ketë diçka, edhe pse do ketë gjithmonë mungesën e tij”, tha bashkëshortja e Sajmirit të ndjerë.