Aksidentet rrugore me pasoja të rënda janë shtuar ndjeshëm gjatë muajit gusht, ku të hënën është regjistruar një tjetër ngjarje fatale në Fier, ku një motoçiklist ka humbur jetën. Sipas policisë, aksidenti i rëndë rrugor ndodhi në aksin Fier-Levan, ku një automjet ka përplasur një motor, e si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i motorit.
“Rreth orës 15:15 të së hënës, në afërsi të fshatit Levan, shtetasi G.S, 24 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen” është përplasur me motoçikletën tip “Yamaha”, pa targa, ku si pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i saj, shtetasi D.N, 65 vjeç, banues në Kryegjatë”, deklaroi paraprakisht policia, ndërkohë që tha se në vendin e ngjarjes shkoi menjëherë grupi hetimor, i cili ka nisur punën për dokumentimin dhe sqarimin e rrethanave. Shtetasi G.S është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier për veprime të mëtejshme procedurale.