Misioni numër 1 u realizua, edhe pse me shumë vështirësi.
Egnatia e fitoi ndeshjen e parë të sezonit në Champions, një 1-0 ndaj rivalit islandez, Breidablik, me rrjetë të shënuar në fund, ndërsa sonte do të tentojë kualifikimin për në turin e dytë eliminator.
Në ishull sfida fillon në orën 21:00.
Kampionia e Shqipërisë mund ta quajë veten favorite, por jo shumë sepse epërsia është më minimalja e mundshme.
Për më tepër, trajneri Edlir Tetova, do të ketë dy mungesa të rëndësishme si mbrojtësin Ndreca të dëmtuar, dhe njërin nga lojtarët më të mirë ofensivë, Regi Lushkjen, të pezulluar.
Gjithsesi, Egnatia është e ndërtuar për të përballuar minuse të tilla, dhe sidomos shpresa më e madhe vjen nga mënyra sesi ekipi luajti në ndeshjen e parë.
Në Arenën “Egnatia”, ku për herë të parë u zhvillua një ndeshje e kupave të Europës, skuadra rrogozhinase pati epërsi thuajse nga fillimi deri në fund, e padyshim që fitorja duhej të kishte qenë shumë më e thellë.
Breidablik ka gjithashtu shpresë për kuaifikimin dhe trajneri islandez, Arnason, beson se me lojë të mirë dhe me durim objektivi mund të arrihet.
Në fushë, përveç Egnatias sonte do të jenë edhe dy ekipe të tjerë shqiptarë.
Shkëndija e Tetovës, e Maqedonisë së Veriut, pret Nju Sejnts të Uellsit pas barazimit 0-0 të sfidës së parë, ndërsa Drita e Gjilanit luan në Luksemburg ndaj Diferdanzhit me ndeshjen e kaluar të fituar 1-0.
