Ekonomia e Rusisë do të goditet rëndë nga sanksionet perëndimore, por presidenti rus, Vladimir Putin, nuk përballet me rrezik të menjëhershëm politik dhe Qeveria e tij ka të ngjarë t’i përballojë pasojat ekonomike, tha një ekonomist dhe bankier i njohur rus.
Në një intervistë për Shërbimin e Radios Evropa e Lirë në Rusi, Andrei Movchan, tha se lufta në Ukrainë, tani në muajin e saj të katërt, ishte një zbrazje e fuqishme në arkën e Qeverisë ruse, siç ishin edhe sanksionet e vendosura nga Perëndimi si përgjigje ndaj veprimeve të Rusisë.
Por, ai tha se çmimet e larta globale të naftës do t’i mbështesin financat e Qeverisë dhe se edhe pse ekonomia e gjerë ruse dhe rusët mesatarë, në veçanti do të vuajnë, kjo nuk ka gjasa të përbëjë një kërcënim për sundimin e Putinit.
“Parashikimet për vdekjen e afërt të regjimit janë bërë kryesisht nga të njëjtit njerëz që i kanë bërë ato për 20 vjetët e fundit dhe këto parashikime nuk kanë ndryshuar në asnjë mënyrë”, tha Movchan në intervistën e 7 qershorit, duke folur nga Londra.
“Regjimet autokratike janë përgjithësisht të qëndrueshme. Presioni i sanksioneve rrallë i ndryshon regjimet. Presioni i sanksioneve konsolidon regjimet, i bën ato më të qëndrueshme, më të pavarura dhe reaksionare”, tha Movchan.
“Lufta me të vërtetë tani është bërë mjeti kryesor për ruajtjen e çmimeve të hidrokarbureve. Buxheti, natyrisht, do të vuajë dhe ekonomia ruse do të ketë probleme edhe më të mëdha në vitet e ardhshme, të krahasueshme me ato të viteve 1990”, tha ai.
Movchan, ekonomist i shkolluar, ishte udhëheqës i lartë në dy nga bankat kryesore të pavarura të investimeve të Rusisë gjatë viteve 1990 dhe 2000 para se të hapte firmën e tij për menaxhim të aseteve.
Ekonomia e Rusisë parashikohet të tkurret në mënyrë drastike këtë vit, pasi sanksionet perëndimore dëmtojnë Bruto Produktin Vendor. Banka Botërore parashikon që prodhimi do të tkurret për 11.2 për qind këtë vit, ndërsa vetë Banka Qendrore e Rusisë parashikon një rënie prej 7.5 për qind.
Banka e Finlandës parashikon një rënie prej 10 për qind të Bruto Produktit Vendor, ndërsa Instituti i Financave Ndërkombëtare me bazë në Uashington ka një parashikim dramatikisht më të errët, duke parashikuar një rënie prej 15 për qind.
Një rënie e tillë do të ishte më e thella që nga fillimi i viteve 1990 kur Rusia po përpiqej të bënte tranzicionin e vështirë nga një ekonomi e kontrolluar nga shteti në një treg të lirë.
Rusia mbetet shumë e varur nga eksporti i naftës dhe gazit, të ardhurat nga të cilat kanë forcuar financat e saj dhe kanë penguar përpjekjet perëndimore për të frenuar ekonomikisht Moskën.
Shefi i Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian ka vlerësuar se vetëm eksportet e naftës sjellin një miliard dollarë në ditë për Rusinë.
Movchan tha se çfarëdo dhimbje ekonomike që Rusia ndjen ka të ngjarë të ndihet më shumë nga qytetarët me të ardhura mesatare.
“Sigurisht, humbësit nga kjo luftë, pavarësisht nga këto çmime [të larta të naftës], janë njerëzit e zakonshëm të Rusisë që kishin pak qasje në eksportin e hidrokarbureve më parë dhe tani do të jetë shumë më pak”.
“Për elitat, bilanci i llogarisë aktuale të transaksioneve valutore është me të vërtetë i rëndësishëm dhe do të mbahet mjaft i qëndrueshëm”, tha Movchan.
Kjo “do t’i lejojë elitat të sundojnë, të kënaqin nevojat e tyre dhe të kontrollojnë bllokun e pushtetit, një referencë për sigurinë, zbatimin e ligjit dhe agjencitë ushtarake që kanë ndikim të madh në politikën e qeverisë”, shtoi ai.
“Stabilitet i llojit që është parë në Iran, Venezuelë, Korenë e Veriut: kjo është ajo në të cilën Rusia po hyn tani”, tha Movchan.
I pyetur për mundësinë e një ndryshimi thelbësor politik si rezultat i sanksioneve, Movchan tha se kjo mund të ndodhë në përmasa të vogla.
“Sanksionet sigurisht që kanë një efekt ekonomik, por ato në të vërtetë nuk çojnë në një ndryshim serioz në politikën e jashtme dhe të brendshme dhe në një ndryshim në pushtet”, u shpreh ai./REL