Eksperti amerikan i politikës së jashtme dhe çështjeve ushtarake, Ian Brzezinski, ka deklaruar se presidenti rus, Vladimir Putin, po bënë përpjekje që situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë ta përdorë në mënyrë që të nxisë një krizë që do të shpërqendronte Perëndimin.
Brzezinski (djali i Zbigniew Brzezinskit – këshilltarit amerikan për sigurinë kombëtare në epokën e Luftës së Ftohtë) thotë se Rusia ka vepruar në Ballkan në një mënyrë shkatërruese, nga financimi politik deri te sabotimi gjatë gjithë dekadës së fundit.
“Kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi të kujdesshëm që Putin do të përpiqet të bëjë diçka për të shkaktuar trazira ose një lloj krize në Ballkan. Në Ballkan ka tensione midis grupeve të ndryshme etnike në vende të caktuara, tensione midis Kosovës dhe Serbisë që janë një shembull klasik i kësaj”, ka deklaruar ai për ‘Zërin e Amerikës’.
Nga ana tjetër, Jennifer Brush, diplomatja amerikane që shërbeu në Beograd nga viti 2007 deri në vitin 2010, beson se një përshkallëzim i mundshëm do të fillonte në “Republikën Serbe” dhe në Mitrovicën e Veriut, ku siç vlerëson ajo, rusët janë duke inkurajuar popullatën serbe vazhdimisht për destabilizim.
Ajo potencon se më dështimin e Rusisë në Ukrainë, do të dështojë edhe e ashtuquajtura “Bota Serbe” (ideja nacionaliste e cila viteve të fundit u lansua nga korrieri i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pra, e njeriut që udhëheq departamentet e mbrojtjes dhe të policisë në Serbi, Aleksandër Vulin).
“Përpjekjet ruse në Ukrainë kanë dështuar në masë të madhe dhe kjo do të ketë një efekt paralel në idenë e zgjerimit të botës serbe. Kjo përpjekje gjithashtu do të dështojë dhe Serbia duhet të qëndrojë brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, të punojë për demokracinë e saj dhe të mos ndërhyjë në politikën e fqinjëve të saj”, u shpreh ajo për ‘VoA‘.