Mosha dhe pesha janë faktorë që e vënë Presidentin Donald Trump në një kategori më të rrezikuar nga COVID-19, por megjithatë ekspertët thonë se prognoza nuk mund të parashikohet lehtë.
Mjeku i presidentit, Sean Conley, pohoi në një deklaratë të premten se presidenti dhe zonja e parë kanë rezultuar pozitivë për koronavirus. Por mjeku thotë se të dy ata “janë mirë në këtë moment”.
“Parashikoj se presidenti do të vazhdojë të përmbushë përgjegjësitë e tij pa ndërprerje gjatë kohës që kurohet”, tha mjeku.
Presidenti është 74-vjeç dhe të dhënat tregojnë se ritmet e shtrimit në spital janë 5 herë më të larta për grupmoshën e tij se sa për 18-29 vjeçarët, sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve. Po ashtu rreziku për vdekje është 90 herë më i lartë.
Sipas rezultateve të analizave të tij më të fundit, presidenti është 1.9 metra i gjatë dhe peshon thuajse 111 kg. Sipas këtyre shifrave, ai konsiderohet mbipeshë i kategorisë obeze.
Kjo e trefishon rrezikun për shtrim në spital, sipas Qendrës Për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
“Përgjithësisht, dikush që ka këto veçori kërkon vëmendje të madhe”, thotë Amesh Adalja, mjek i sëmundjeve ngjitëse dhe studiues në Universitetin Johns Hopkins. “Por kjo nuk do të thotë se ai medoemos do të kalojë një sëmundje të rëndë”, thotë eksperti.
“Ky virus ka shfaqur trajektore të ndryshme në çdo person. Nuk dimë mjaftueshëm përse disa individë, megjithëse janë në grupin më të rrezikuar, e kalojnë më lehtë se të tjerë”.
Një studim i kufizuar në një qendër të kujdesit për të moshuarit, të cilët janë në grupin më të rrezikuar, arrin në përfundimin se më shumë se 1/3 e atyre që rezultuan pozitivë për koronavirus nuk shfaqën simptoma./VOA