Ekspertët në Real Story: A do të ketë rritje ekonomike përmes rindërtimit?

POLITIKË


Çështja e rritjes ekonomike përmes rindërtimit, një deklaratë e bërë nga kryeministri Rama mbetet një çështje për të cilën, ekspertët e ekonomisë, të ftuar në Real Story të Sokol Ballës në Neës 24 e shikojnë me skepticizëm, jo sepse nuk mund të arrihet, por për faktin se paralelisht me rindërtimin, ata mendojnë se duhet ecur dhe me procesin e largimit të panikut dhe frikës tek qytetarët.

Gazetari Balla ka ngritur këtë çështje, duke pyetur të ftuarit e tij, nëse Durrësi, një nga zonat më të prekura të tërmetit, por njëkohësisht një nga zonat me zërin më të fuqishëm në të ardhurat  që krijon shteti nga turizmi, do të jetë në gjendje që vitin e ardhshëm të gjenerojë 700 milionë euro, aq sa ka mbledhur mesatarisht vitet e tjera.

Lidhur me këtë, Arben Malaj deklaroi se për të pasur një rritje ekonomike nëpërmjet rindërtimit, duhet një strategji që të ecin paralelisht ulja e frikës dhe rritja e investimit. “Lidhur me këtë është e vërtetë që ka një debat. Kosto afatshkurtër e një fatkeqësie natyrore dhe mundësia që rindërtimi t’i japë një nxitje ekonomisë, sepse po u rrit kërkesa e përgjithshme që të ketë më shumë konsum dhe po u hodhën më shumë para, personalisht kam këtë merak, se tërmeti më i madh është tërmeti i frikës. Në momentin që ndodhin fatkeqësitë natyrore, njerëzit në frikë dhe panik, bie konsumi, bie investimi dhe sado lekë të ketë qeveria, nuk arrin të rrisë ekonominë. Pra duhet të ketë një strategji si ta vrasim frikën dhe si të kthehet normaliteti në shoqëri, te konsumatori dhe investitori, që të ecë. Nëse do ecin paralelisht ulja e frikës dhe rritja e investimit, apo konsumit nga individët dhe privatët, natyrshëm në ekonomi do të ketë më shumë para sepse 500 milionë euro nuk janë pak, janë gati një herë më shumë investime publike me burime të brendshme. Në këtë aspekt, të dyfishosh nivelin e shpenzimeve si pjesë e investimeve në ekonomi, do të thotë t’i japësh asaj një shtytje më të madhe. Sigurisht që ato të gjitha nuk janë për t’u realizuar brenda një viti, do të ketë një shpërndarje. Ajo që është mirë dhe ka përpjekje, por duhet pak më shpejt, është dalja e një shifre, sepse është kthyer në një formë basti. 500 deri në 700 milionë euro është një goditje në ekonomi, por nuk e nxjerr vendin jashtë nga shinat e stabilitetit ekonomik. Problemi do të vijë vetëm nga rritja ekonomike. Nëse shkon pastaj dëmi 1.2 miliardë euro, pastaj do një skenar më të plotë”, deklaroi Malaj. Më tej, ai kishte dhe një mesazh të drejtpërdrejtë mbi llogaritjen e dëmit dhe kostove, pasi sipas tij, duhet të jenë shumë të përgjegjshëm, duke u treguar skeptik për konferencën e donatorëve. “Ideja është që konferenca e donatorëve do të jetë zgjidhja, unë nuk jam shumë optimist për një shifër të lartë. Duhet të kenë shumë përgjegjësi, të mendojnë se atë shifër do e paguajnë vetë. Në krizën humanitare, ndihma është e menjëhershme. Kur të vija puna te kosto e ndërtimit, flitet ndryshe. Po të shikojmë fondin europian të solidaritetit, që nga 2002 e deri tani, në 50 raste në Europë, vihet re ndryshim sa kanë kërkuar vendet dhe sa kanë dhënë ata. Nuk kanë dhënë më shumë se 10 për qind të kostos. Ka edhe një mesazh që ne shqiptarët duhet ta kuptojmë. Ata i menaxhojnë taksat më mirë se ne dhe nëse do mendosh se një vend ka fatkeqësi natyrore dhe 50 për qind të kostos t’ia japë BE, qeverisja edhe e individit, përveç qeverisja e përgjithshme, bëhet problematike, bëhet më pak e përgjegjshme për parandalimin. Kështu që janë disa faza që menaxhohen. Nëse kosto është 500-700 milionë euro është e menaxhueshme dhe pa ndonjë stres dhe njerëzit duhet të fillojnë menjëherë të kuptojnë se ka filluar normaliteti. Nëse është 1.2 miliardë euro duhen llogaritur skenarët, duhen bërë prezent dhe strategjia e komunikimit duhet të vlerësohet, pasi është i rëndësishëm individi, pasi në informacionin që ai merr përcakton edhe sjelljen e tij”, rekomandoi Malaj.

Mateo Spaho, Dekan i Fakultetit Ekonomik në Universitetin Luarasi u bashkua me Malajn sa i përket analizës së tij, por që është më skeptik se rindërtimi mund të sjellë zhvillim ekonomik. “Dëme, ekonomia shqiptare do të ketë dhe natyrisht kur paratë i shpenzon qeveria nënkupton që ato para nuk do ua japë qytetarëve në forma të tjera. Dua të them që elementët e para i kemi që tani. Nuk do ketë me shumë gjasa për fundvit as kaposhin për pensionistët, nuk do të ketë shpërblime për administratën shtetërore. Kjo është vetëm një gjë, por mund të kemi gjatë vitit tjetër shkurtime të tjera. Këto para që nuk u jepen qytetarëve janë më pak konsum”, u shpreh Spaho. Sipas tij, nëse këto banesa do të kishin qenë të siguruara, natyrisht nuk do të ndihej ky impakt. “Nga krahu tjetër, elementi i ndjesisë e bën që konsumi të jetë më i ngadaltë, më i frikur, sidomos konsumi më i madh që bëjnë familjet, të jetë i rezervuar”, shpjegoi profesori Mateo Spaho. Sa i përket konferencës ndërkombëtare, ai tha kur është puna për ndihma humanitare hapen menjëherë dyert, kur është puna për rindërtim është më e vështirë e gjithë historia. “Duhet thënë që edhe ne nuk duhet të kemi iluzione që kur kemi fatkeqësi të na e paguajnë të tjerët. Kam disa dyshime që të mos jenë kredi me përqindje të ulët dhe jo para të dhuruara. Nuk është kjo zgjidhja që çdo fatkeqësi ta zgjidhësh me konferenca ndërkombëtare. Zgjidhje reale janë që njëherë të kemi ato fondet dhe t’i menaxhojmë mirë. Unë jam realisht në favor të një ligji që të detyrojë së paku, sa i përket shtëpive të para dhe do të ishte mirë për mendimin tim, edhe për aktivitetet prodhuese, që të detyrojë së paku një pjesë të sigurimit të banesave dhe të aktiviteteve prodhuese”, argumentoi Spaho.

Ndërsa analisti Eduard Zaloshnja shpjegoi arsyen pse nuk duhet pasur shumë besim te shtetet e mëdha, që sipas tij, asnjëherë nuk japin shumë para për vendet e vogla. “Ka një arsye shumë të thjeshtë që vendet e mëdha nuk japin ndihma të mëdha kur ka fatkeqësi natyrore në vende si Shqipëria. Arsyeja është sepse krijon qetësinë e këtyre qeverive në fatkeqësi që ndodhin radhë dhe mentalitetin se në rast fatkeqësie do të na ndihmojë dikush nga jashtë. Kështu ne vazhdojmë me shpenzime minimale, nuk kemi as sigurinë, siç është rasti i Turqisë, që futi sigurimin e detyruar për të gjitha shtëpitë. Pra, kjo është arsyeja që të detyrojnë qeveritë e këtyre vendeve që të mendojnë afatgjatë, të mos mendojnë vetëm për zgjedhjet e radhës, që të kryejë vetëm ato shpenzime që do të më japin më shumë vota”, shpjegoi Zaloshnja. Madje, ai solli në vëmendje edhe rastin e guvernatorit të Kalifornisë, Arnold Schëarzenegger, ku sipas tij, pavarësisht se ishte republikan, ai vendosi të humbë vota, por të vendosë masa të detyrueshme për qytetarët për të përballuar dëmet nga fatkeqësitë natyrore. “Pra qeveria duhet të mbledhë mendjen për një skemë sigurimesh që të mbulojë dëmet e privatëve dhe shteti të merret me infrastrukturën dhe stimulimin e ekonomisë”, sugjeroi Zaloshnja.

Ndërsa Kadri Morina, President i grupit EUROSIG & INSIG mendon se së pari shifra nuk do të jetë aq e lartë sa mendohet dhe që rindërtimi do të ketë ndikim pozitiv në ekonomi. “Unë mendoj se shifra duhet të jetë më e vogël, megjithëse ende nuk na kanë ardhur metrat katrore të dëmtuara. Por unë nuk besoj se shifra është më shumë se 1 milion metra katrorë të dëmtuara, kështu që rindërtimi i tyre mund të shkojë te 320 milionë euro, duke shtuar edhe dëmtimet e tjera elektrike dhe hidraulike, nuk shkon më shumë se 500 milionë euro. “Unë mendoj se një ndikim pozitiv në ekonomi do e ketë, pasi do hidhen këto para në ndërtim. Ndikimi negativ është psikologjik, nëse do frekuentohen më këto zona nga turistët e huaj. Por nëse këto shtëpi do të ishin të siguruara, kjo do të sillte zhvillim ekonomik, pasi ato para për rindërtimin dhe dëmshpërblimin do të vinin nga jashtë dhe nuk do të prekej buxheti i shtetit”, deklaroi Morina.



Skip to toolbar