Eksperti thirrje qytetarëve: Mos flini nëpër makina, s’ka arsye

AKTUALITET


Inxhinieri Agim Seranaj iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të mos flenë më nëpër makina nga frika e tërmeteve. Ai tha se pasgoditjet për një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter janë normale, pasi pllakat tektonike duhet të stabilizojnë veten. Seranaj tha në News 24 se qytetarët në Tiranë dhe Durrës duhet të bëjnë të pamundurën për t’iu rikthyer jetës normale.

“Këto lëkundje që po shënohen njihen si paslëkundje dhe shoqërojnë çdo tërmet. Nëse tërmetet janë me magnitudë të ulët shoqërohen me pak pasgoditje, kurse një tërmet me magnitudë kaq të madhe sa i ai i Durrësit, ai është e pritshme të shoqërohet me tërmete pas tij edhe me madhësi jo të vogla.

Këto paslëkundje duhet t’i quajmë normale. Tërmeti zhvillohet kryesisht prej lëvizjeve të pllakave tektonike, që kërkojnë të çlirojnë energjinë e grumbulluar. Janë pllaka të mëdha që lëvizin dhe tani duan të zënë ripozicion. Ato tani pak nga pak po fillojnë të stabilizojnë veten, ndaj dhe janë këto lëkundjet. S’ka arsye që njerëzit të flenë në makinë. Edhe në Durrës qytetarët t’i rikthehen normalitetit. Shqipëria nuk do të ketë kurrë fatin e Japonisë”, tha inxhinieri.



Skip to toolbar