29 kallëpe me eksploziv me peshë 18 kg dhe 15 kapsolla detonatore janë sekuestruar në Durrës.
Në pranga kanë rënë dy posueduesit nga Kukësi, teksa zbulohet se do i shisnin në total për 12 mijë euro.
Dy posueduesit po udhëtonin drejt Durrësit me automjet dhe lëndën eksplozive si dhe kapsollat detonatorë i kishin vendosur në bagazh.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Durrës
Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Trajektorja”.
Operacioni i zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës.
Sekuestrohen 29 kallëpe me lëndë eksplozive me peshë 18 kg dhe 15 kapsolla detonatore.
Arrestohen në flagrancë 2 poseduesit e lëndës eksplozive, të cilët do e shisnin atë kundrejt vlerës 12.000 euro.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave që lëvizin me sende të kundërligjshme dhe rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, në bazë të informacioneve të siguruara nga Seksioni për Hetimin e Krimeve, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Trajektorja “, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
B.B., 42 vjeç dhe Sh. T., 31 vjeç, banues në Kukës.
Shërbimet e Policisë, pas informacionit të siguruar se në drejtim të Durrësit po lëvizte një automjet me 2 persona, të cilët kishin vendosur në bagazh një sasi të konsiderueshme lënde eksplozive, menjëherë kanë organizuar punën dhe në Sukth kanë ndaluar mjetin me të cilin po lëviznin shtetasit B. B. dhe Sh. T. Pas kontrollit të ushtruar në bagazhin e mjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 29 kallëpe me lëndë eksplozive, me peshë 18 kg, si dhe 15 kapsolla detonatore, të cilat këta shtetas do t’i shisnin kundrejt vlerës 12.000 euro.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.