Eksploziv makinës, shpërthimi trondit kryeqytetin

AKTUALITET


Tirana është tronditur në mëngjes nga shpërthimi i fuqishëm në një makinë, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 07:45 në rrugën “Ramazan Bogdani”, në automjetin në pronësi të shtetasit Artion B., i cili ishte i parkuar. Nga informacionet paraprake policia dyshon se shpërthimi është shkaktuar me eksploziv.

Burimet policore të kryeqytetit thanë se menjëherë pas shpërthimit, në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor, i cili ka konstatuar se nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Nga këqyrja paraprake ka rezultuar se eksplozivi i është vendosur një “Benzi” të zi i kohës së fundit, me targa gjermane. Eksplozivi ka qenë i vendosur dhe i lidhur me derën, ndërsa ka shpërthyer në momentin që pronari i tij, Artion B., ka shtypur pajisjen elektronike për të hapur derën.

Ngjarja dyshohet se ka qenë një mesazh për pronarin e mjetit luksoz, ndonëse deri më tani nuk dihet asgjë mbi të shkuarën e tij. Nga ana e saj, policia ka bërë një shpërthim të kontrolluar, me dyshimin se mund të kishte ende lëndë të paplasur në mjet.



Skip to toolbar