Qarku i Elbasanit është një nga më të prekrurit nga lëkundjet e tërmetit të së shtunës. Të paktën 113 banes dhe objekte të tjera janë dëmtuar në këtë qark, ka raportuar Kryetari i Grupit Parlametar të Partisë Socialiste Tulant Balla. Gjatë të dielës, ai së bashku me deputetë të tjerë të qarkut dhe kryetarin e bashkisë së Belshit, ka vizituar disa familje të kësaj bashkie, të cilave u janë dëmtuar banesat. Balla është shperhur se Belshi është më i prekuri nga tërmeti, ndërsa sipas tij banesat e dëmtuara, janë kryesisht ndërtime të vjetra.
“Jemi të gjithë në terren për t’ju gjendur pranë familjeve, banesat e të cilave janë prekur nga tërmeti i djeshëm. Kryesisht banesat e dëmtuara janë ndërtime të vjetra, sepse në ndërtimet e reja nuk janë raportuar deri më tani dëme. Duhet të kuptojmë që goditjet e djeshme ishin të forta 5.8 shkalla Rihter herë 1.37 shkon afërsiaht 7.9 ballë. Shumë pranë Shqipërisë pak vite më parë një tërmet i ngjashëm pati pasoja katastofike. Por të gjithë e dimë që tërmetet janë fatkeqësi natyrore të paparashikueshme”, ka thënë Balla.
Ndërkohë, ai ka shtuar se të gjitha dëmet do të evidentohen dhe më pas do të nisë sistemimi i tyre. Për ndërtimin e tyre, sipas Taulant Ballës, do të ketë solidaritet nga sipërmarrja private madje dhe nga diaspora.
“Reagimi pas tyre është në dorën tonë. Pas panikut të parë, Shqipëria është e gjitha solidare për ta kaluar këtë situatë. Masat e marra deri më tani nga Qeveria janë të plota. Vetë Kryeministri Rama ndërpreu vizitën e rëndësishme në SHBA dhe është vetë në krye të shtabeve të emergjencës në Durrës e Tiranë. Qeveria ka të garantuar po ashtu buxhetin për këtë situatë. Punonjësit e caktuar të Bashkisë dhe të Qarkut do të bëjnë evidentimin e dëmeve dhe më pas fillon puna për sistemimin e dëmtimeve dhe rikthimin në normalitet. Në disa shtëpi do të fillojmë riparimin edhe me mbështetje solidariteti nga sipërmarrja, madje edhe nga diaspora”, ka thënë ai.