Elon Musk – një Frankeshtajn i shekullit të ri?!

BOTA


Rreth 200 vjet më parë bota letrare u njoh me një roman sa të çuditshëm dhe po aq edhe të frikshëm, me autore një vajzë të re, mikeshë e Lord Bajronit, e quajtur Mary Shelley.  Në këtë roman flitej për një qënie misterioze e njohur si Frannkeshtajn. Një shkencëtar i ri, Viktor Frankeshtajni dora vetë, pati idenë e krijimit të një qënie të gjallë dhe të jashtëzakonshme jashtë trupit njerëzor. Ai mblodhi për këtë qëllim mishin dhe organet e kufomave dhe duke i kaluar ato nën energjinë elektrike, të sapozbuluar në atë kohë, i dha shpirt krijesës së tij. Por ajo krijesë doli aq e shëmtuar dhe aq e shpifur saqë krijuesi i saj e braktisi atë me lemeri?

Frankeshtajni monstër u përpoq megjithatë t’i bashkohej njerëzve dhe shoqërisë që kishte rrotull, por që të gjithë e largonin me frikë dhe llahtari. I pajisur me një ndjeshmëri dhe zgjuarsi mbi normalen, përbindëshi i krijuar nga një shkencëtar i paparë, filloi atëhere të grumbullonte shumë mllef dhe zëmërim në shpirtin e tij, kur vërejti se askush nuk e donte. Dhe u betua ta zhdukte një herë e mirë racën njerëzore, dhe sidomos atë që e solli në jetë! Kjo është me pak fjalë përmbajtja e këtij libri që u përkthye në  shumicën e gjuhëve të botës. Ideja ishte se pa një kontroll, pa një etikë njerëzore, Njeriu është i aftë të “pjellë” edhe monstra që mund të rrezikojnë deri edhe ekzistencën e tij.

Pak nga pak nami dhe emri i Frankeshtajnit u përhap dhe u ngulit aq fort në fantazinë e njerëzve, saqë rreth personazhit të tij janë prodhuar dhe luajtur mbi 100 filma, ku më i suksesshmi mbahet ai i interpretuar nga aktori i madh, Boris Karlov.  

Që nga botimi i atij libri horror kanë kaluar mbi 200 vjet dhe shkenca, bota dhe njerëzimi kanë përparuar ndjeshëm. Dhe sot vendin e frankeshjshtajnëve, në fantazinë e romancierëve dhe regjizorëve të romaneve dhe filmave fanta-shkencorë, e kanë zënë cyborgët.

Ky emër u përdor për herë të parë në vitin 1960 për të përshkruar një qënie me fuqi dhe aftësi intelektuale mbinjerëzore gjysëm njeri dhe gjysëm makinë. Libri i parë me këtë temë u botua më 1972 nga Martin Caidin me titullin Cyborg. Në të bëhet fjalë për austronautin Stiv Austin që arrin të zëvendësojë pjesë të organizmit të tij me proteza artificiale!

Ndërsa në serialin e famshën “Star Wars” , episodi i pestë (1980), personazhi Dark Vador është thjesht një cyborg. Si te “Lufta e Yjeve”, por po ashtu edhe te filmi RoboCop (1987) personazhet kryesorë janë më shumë makina se njerëz. Atyre duket se u mungojnë ndjenjat dhe ndërgjegja që karakterizon njerëzit. Aq shumë “Makina” ka marrë fuqi mbi “Njeriun”!

Jo më kot termi “Cyborg” përbëhet nga dy pjesë: cybernetikë ( baza e informatikës sot) që është shkenca e komunikimit dhe mbarëvajtjes ndërmjet një qënieje të gjallë dhe një makine dhe termit “org” = organizëm. Cyborgu është kështu krejt i ndryshëm psh nga roboti, i cili është i gjithi një makinë e kompjuterizuar.

Gjithë kjo do të dukej se i takon veçse historisë dhe veprave fantastiko/shkencore. Po të mos ishte Elon Musk, pronari miliarder i  makinës elektrike Tesla dhe i sistemit satelitor Space X. Por njëkohësisht edhe pronari i rrjetit social “X”, më parë i njohur si “Twiter”!

Por pak janë në dijeni se Musk është pronar, që nga 2016, edhe i shoqërisë kaliforniane, Neuralink Corp, e specializuar në neuroteknologji dhe sidomos në ndërlidhjen ndërmjet trurit dhe kompjuterit. Kjo ndërmarrje teknologjike, në fillimet e veta pati në përbërje të saj një ekip prej 7 shkencëtarësh dhe inxhinjerësh. Tri vjet më vonë, si pasojë e sukseseve premtuese të arritura kjo ndërmarrje e rriti ekipin në 90 neuroshkencëtarë.

Dhe rezultatet nuk munguan. Pas eksperimenteve me minj dhe majmunë, Elon Musk,  njoftoi më 29 janar se për të parën herë një pacienti i ishte implementuar me sukses në tru një çip elektronik. “Pacienti, po kurohet dhe po stabilizohet” – njoftoi atë kohë miliarderi amerikan. Dhe “bomba” shpërtheu veçse pak ditë më parë. Më 20 mars mbarë bota vërejti me çudi se ky pacient kishte filluar tani të luante shah veçse duke menduar lëvizjet. Pra pa prekur me dorë as ekranin dhe as miushin elektronik.

Se në fakt, Noland Arbaugh, është një i ri 29 vjeçar, i cili për shkak të një aksidenti, nuk mund të lëvizë dot as duart dhe as këmbët. Video 9 minutëshe, e publikur te Reddit dhe “X” tregon të riun duke luajtur shah, por edhe duke zgjedhur muzikën që i pëlqen në kompjuter. Dhe e gjitha kjo veçse duke përcjellë mendimin e tij te kompjuteri!

Por për të arritur në këtë transmetim mendimi, Noland Arbaugh-ut, iu implantua, siç thamë, një çip elektronik, në muajin janar të këtij viti. Operacioni i ushtruar nga një robot, zgjati veçse 20 minuta! Madje pacienti shprehet, se megjithëse kurimi i tij, ka kaluar disa probleme, çipi elektronik po e ndihmon tani atë që të mësojë me shpejtësi dhe njëkohësisht edhe gjuhën franceze dhe japoneze!

Dhe gjithë magjia, gjithë shkenca, bazohet te ky çip i veçantë i prodhuar nga Neuralink. Bëhet fjalë për një processor me madhësinë e një monedheje 2 euroshe, e pagëzuar si “Telepathy”. Ky processor përbëhet nga 64 fije polimeri që furnizojnë 1024 qëndra të regjistrimit të aktivitetit të trurit. Telepati është i vetmi çip i prodhuar deri më tani që komunikon me sistemin Bluetooth dhe që që karikohet me induksion.

E veçanta dhe e jashtëzakonshmja e këtij operacioni ka të bëjë me faktin se ky çip është në gjendje të kapë dhe zbërthejë impulse që i vijnë nga truri dhe i transmeton këto impulse një makine që është në gjendje t’i kuptojë dhe t’i vëjë në zbatim ato. Dhe kështu arrihet që kur pacienti mendon ta çvendosë psh kalanë apo mbretëreshën dy kuti përpara, ky mendim kapet nga çipi dhe i kalohet kompjuterit të specializuar. Po të flasim me gjuhën e ushtarakëve dikur kemi të bëjmë këtu me një radiomarrëse dhe radiodhënëse që komunikojnë me njëra tjetrën, si dikur me alfabetin Mors.

Implantimi i një çipi që është në gjendje të diktojë dhe kapë impulset e trurit, për ta shprehur thjesht, është arritja kryesore e shoqërisë teknologjike “Neuralink”. Dhe këtu kemi të bëjmë me një revolucion të vërtetë dhe të paparë deri më sot. Pasi truri është organi më kompleks i trupit njerëzor. Kjo makinë e habitshme që komandon mbarë organizmin,  përbëhet nga mbi 100 miliardë neurone dhe po aq sinapse që lidhin neuronet me njëri tjetrin. Për disa ai është foleja e shpirtit dhe për disa të tjerë edhe çerdhja e ndërgjegjes.  Si një shef i zoti orkestre ai kontrollon dhe drejton punën e të gjithë organizmit dhe organeve të tij. Dhe shkencëtarët janë në një mëndje kur pohojnë se ai është po aq i ndërlikuar sa edhe universi!

Pa dyshim se gjendemi para një suksesi të paparë dhe të jashtëzakonshëm të shkencës. Elon Musk pohon se së shpejti ai mund tua kthejë sytë të verbërve, të bëjë të ecin të paralizuarit, të shërojë ata që vuajnë nga parkinsoni dhe alzhajmeri etj etj. Shumë bukur deri këtu. Dhe Elon Musk duket shumë entuziast. “Do të vijë dita që do të mund të lexojmë mendimet e njerëzve” – parashikon ai.

Por duket se jo të gjithë janë kaq të entuziazmuar nga kjo arritje e paparë e shkencës.  “Mjekësia e ka të ndaluar përmirësimin e Njeriut” – vërejnë me shqetësim ata. “Truri duhet të mbetet si një vend i shenjtë ku askush nuk duhet të vëjë dorë” – pohojnë disa të tjerë. “Truri ynë nuk është si kompjuteri. Ai nuk është vetëm një rrjet neuronesh, por edhe një sistem ndjenjash” – tërheqin vëmendjen disa të tjerë. “Ky shartim ndërmjet Njeriut dhe Makinës ngre probleme të paparashikuara të llojit etik, juridik dhe fillozofik. Në rast të marrjes së një vendimi të gabuar apo të rrezikshëm nga Inteligjenca Artificiale e vendosur psh  te moduli Telepati, kush është atëhere përgjegjës?!” – pyesin ata.

Dhe pikërisht këtu rreh çekani. Fillozofët, dijetarët dhe sociologët që tani kanë filluar të kenë frikë. Dhe një frikë të madhe. Me këto hapa që po ecën shkenca, nuk është çudi që në një kohë të shkurtër, të ngjasë edhe procesi i kundërt apo i anasjelltë. Pra që nga një kompjuter i paraprogramuar, sinjalet të përcillen drejt çipit të implantuar dhe që andej drejt e në trurin e pacientit. Do të gjendemi kështu para një njeriu të programuar.  I cili komandohet nga çipi se çfarë duhet të mendojë, çfarë duhet të hajë, me kë duhet të martohet etj etj. Dhe më keq akoma: kë duhet të vrasë! Një tru i tillë, me aftësi të shumëfishuara falë edhe Inteligjencës Artificiale, mund të programohet në krijimin e ilaçeve të reja, por po ashtu edhe të viruseve tejet të rrezikshëm dhe vdekjeprurës, të mjeteve të shkatërrimit në masë etj etj. etj. Dhe atëhere mund të thuhet me plot gojën se ideja e autores së romanit të Frankeshtajnit do të realizohet plotësisht.



Skip to toolbar