Zyrtarët kinezë po shqyrtojnë si një opsion të mundshëm emrin e Elon Musk për t’i shitur veprimtarinë e TikTok-ut në SHBA nëse kompania nuk ia del që të rrëzojë ndalimin që i është bërë nga Kongresi amerikan. Kështu raporton Bloombeg News nga burime që janë të njohura mirë me këto diskutime.
Zyrtarët në Pekin preferojnë shumë që TikTok-u të qëndrojë nën pronësinë e kompanisë mëmë ByteDance, e cila po kundërshton ndalimin në Gjykatën Supreme. Mirëpo gjyqtarët sinjalizuan gjatë argumenteve më 10 Janar se me shumë mundësi do ta miratojnë ligjin.
Për këtë arsye, zyrtarë të lartë kinezë kanë nisur debatet për planet mbi TikTok si pjesë edhe të një diskutimi më të gjerë se si do të punohet me administratën e ardhshme Trump.
“Një prej zgjidhjeve përfshin Musk, thanë burimet, të cilat kërkuan të mos identifikohen pasi zbuluan diskutimet konfidenciale”, shkruan Bloomberg.
Një marrëveshje kaq e madhe me një prej aleatëve më të afërt të Trump, i pëlqen qeverisë kineze, e cila do të ketë pjesën e saj për të thënë nëse TikTok vendoset të shitet. Kujtojmë se Musk shpenzoi më shumë se 250 milionë Dollarë për të mbështetur Trump në zgjedhje dhe ka marrë për detyrë rolin e përmirësimit të eficencës qeveritare.
Sipas një skenari të diskutuar nga qeveria kineze, platforma X e Musk, do të marrë kontrollin e TikTok-ut për territorin e SHBA-së dhe do ta drejtojnë biznesin sëbashku. Me më shumë se 170 milionë përdorues në SHBA, TikTok-u mund të rrisë edhe përpjekjet e platformës X për të tërhequr reklamuesit. Musk ka themeluar edhe një kompani për inteligjencën artificiale, xAi, e cila mund të përfitojë nga të dhënat e shumta të gjeneruara nga TikTok.
Megjithatë zyrtarët kinezë nuk kanë arritur deri tani asnjë konsensus të fortë se si do vazhdohet dhe diskutimet e tyre janë ende paraprake, thanë burimet e Bloomberg. Po ashtu është e paqartë se sa ByteDance është në dijeni për diskutimet e qeverisë kineze apo nëse TikTok dhe Musk janë përfshirë në këto diskutime. Po ashtu është e paqartë nëse Musk, TikTok e ByteDance kanë zhvilluar ndonjë bisedë për kushtet e ndonjë marrëveshjeje të mundshme.
Musk dhe përfaqësuesit e tij nuk iu përgjigjën kërkesës së Bloomberg për komente. Në Prill Elon Musk tha se TikTok duhet të mos mbyllet në SHBA. “Për mendimin tim, TikTok nuk duhet të ndalohet në SHBA, edhe pse nga kjo përfiton platforma X. Duke bërë kështu do ishte kundër shprehjes së lirë”, tha Musk. Koment nuk dhanë as ByteDance, TikTok e as autoritetet kineze.
Bisedimet në Pekin sipas burimeve të Bloomberg sugjerojnë se fati i TikTok-ut mund të mos jetë më vetëm në dorën e ByteDance. Zyrtarët kinezë e dinë që do të përballen me negociata të forta me administratën Trump mbi tarifat, kontrollet e eksporteve dhe çështjet e tjera dhe i shikojnë negociatat për TikTok si një mundësi pajtimi.
Qeveria kineze ka një aksion të ashtuquajtur të artë në një filial të ByteDance çka i jep ndikim mbi strategjinë dhe operacionet e kompanisë. TikTok thotë se ky kontroll zbatohet vetëm për filialin me bazë në Kinë, Douyin Information Service dhe nuk ka asnjë ndikim për operacionet e kompanisë jashtë Kinës. Megjithatë rregullat e eksportit të Pekinit i pengojnë kompanitë kineze të shesin algoritmet e tyre të softuerëve, si për shembull ai integral i TikTok. Për këtë arsye, qeveria kineze ka një zë të rëndësishëm në çdo marrëveshje të mundshme.
Operimet e TikTok-ut në SHBA mund të vlejnë rreth 40 deri në 50 miliardë Dollarë sipas vlerësimeve të Bloomberg dhe kjo shumë është e madhe edhe për personin më të pasur të botës. Prandaj është e paqartë se si Musk mund ta kryejë një transaksion të tillë.
Por duket se Musk ka një reputacion pozitiv mes punonjësve të ByteDance në Kinë. Ai shikohet si një sipërmarrës shumë i suksesshëm. Ndërsa drejtuesit e ByteDance janë shprehur se prioritet kanë të kundërshtojnë legjislacionin amerikan që kërkon që kompania të shesë ose të mbyllë operacionet në Amerikë si pasojë e shqetësimeve për sigurinë kombëtare. Avokatët e TikTok kanë argumentuar se ligji dhunon fjalën e lirë sipas Amendamentit të Parë të Kushtetutës.
Shumica e gjyqtarëve në Gjykatën Supreme sugjeruan se shqetësimet për sigurinë prevalojnë mbi fjalën e lirë, megjithatë ata duhet të vendosin formalisht. Presidenti i zgjedhur Trump do ta marrë detyrën më 20 Janar dhe ka kërkuar që të shtyhet ndalimi për TikTok, vendim që duhet të hyjë në fuqi më 19 Janar. Ai synon që të negociojë për këtë fakt.