EMA rekomandon miratimin e vaksinës së kompanisë Novavax

CORONAVIRUS


Rregullatori për ilaçe i Bashkimit Evropian ka rekomanduar të hënën, 20 dhjetor, përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit të prodhuar nga kompania me bazë në Shtetet e Bashkuara, Novavax. Këtë vaksinë do të mund ta marrin personat mbi moshën 18-vjeçare. Sapo të miratohet nga Komisioni Evropian, vaksina e kësaj kompanie do të jetë e pesta kundër koronavirusit në bllokun evropian.

Të dhënat nga dy studime të mëdha kanë treguar se vaksina është efikase rreth 90 për qind kundër këtij virusi, ka thënë Agjencia Evropiane e Ilaçeve (EMA), ndonëse ende nuk dihet efekti i saj ndaj disa varianteve të koronavirusit, përfshirë atë Omicron. Numri i personave të infektuar me koronavirus ka prekur shifra rekorde në disa vende në Evropë, kryesisht për shkak të Omicronit.

Kompania Novavax pritet të kërkojë miratim për përdorim të vaksinës së saj edhe në Shtetet e Bashkuara. Novavax dhe BE-ja kanë arritur marrëveshje preliminare në dhjetor të vitit 2020, mirëpo për shkak të çështjeve të prodhimit, kontrata finale për 200 milionë doza është nënshkruar në muajin gusht të këtij viti.

Kompania ka thënë se do të nisë dorëzimin e dozave të vaksinës në janar të vitit të ardhshëm. Aktualisht në BE jepen vaksina të kompanive: Pfizer/BioNTech, AstraZeneca, Moderna dhe Johnson&Johnson.



Skip to toolbar