Tirana mirëpret për herë të dytë brenda pak muajsh, Ministerialin e Ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në kuadër të Procesit të Berlinit. Fokusi i këtij takimi ka qenë pikërisht rritja e bashkëpunimin për sigurinë dhe flukset migratore përmes Ballkanit Perëndimor.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, ministrat e Brendshëm theksuan se do punohet për Krijimin e një grupi të përbashkët rajonal, i përbërë nga drejtorët e policive kufitare, që do të shqyrtojë mundësitë për një bashkëpunim më të ngushtë kufitar, për të ndaluar kalimet e paligjshme.
Deklarata e përbashkët: Të vetëdijshëm se korridori i Ballkanit Perëndimor është një prej itinerareve migratore për në Evropë dhe se, në vitin 2023, u identifikuan 99 068 kalime të paligjshme të kufirit.
Të qartë për rëndësinë që ka rritja e bashkëpunimit në kuadrin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin, për të garantuar bashkërendimin, sigurinë e standardizimin e proceseve në rajon dhe duke pranuar kërcënimin që migracioni i parregullt paraqet për sigurinë e çdo partneri,
Ne, ministrat e Brendshëm dhe krerët e delegacioneve nga Ballkani Perëndimor biem dakord se:
- Një prej pikave kyçe të ndërhyrjes është menaxhimi i kërcënimit të flukseve të parregullta migratore, ndaj intensifikimi i veprimtarisë së përbashkët për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (MIK) mbetet një përparësi.
- Bashkëpunimi për ndarjen e informacionit dhe të dhënave, për t’u siguruar që të gjitha kanalet përkatëse të jenë të hapura, do të shtojë njohuritë e secilit shtet mbi individët që përpiqen të kalojnë kufijtë.
- Shkëmbimi i njohurive rreth proceseve të menaxhimit të kufirit, për të ulur mundësitë që individët të shfrytëzojnë dallimet midis partnerëve, përfshi shkëmbimin me përfitim të ndërsjellë të teknologjisë dhe bazave të të dhënave, për të garantuar që agjencitë e zbatimit të ligjit të kenë mjetet e nevojshme për të luftuar krimin e lidhur me imigracionin dhe migracionin e parregullt.
Me qëllim që këto ambicie të çohen përpara me shpejtësi, ne, ministrat e Brendshëm dhe krerët e delegacioneve nga Ballkani Perëndimor angazhohemi për:
Krijimin e një grupi të përbashkët rajonal, i përbërë nga drejtorët e policive kufitare, që do të shqyrtojë mundësitë për një bashkëpunim më të ngushtë kufitar lidhur me:
(1) ndarjen e të dhënave dhe informacionit që ka të bëjë me migracionin e parregullt dhe krimin që lidhen me imigracionin,
(2) proceset e flukseve migratore dhe
(3) shfrytëzimin e bazave të të dhënave dhe përdorimin e teknologjive më të fundit.
Me synimin për të bashkërenduar masat dhe veprimtaritë e përbashkëta për arritjen e objektivave të përbashkëta në menaxhimin e migracionit dhe sigurinë e kufirit, duke përcaktuar nevojat për zhvillimin e zgjidhjeve teknologjike për të përmirësuar analizën dhe zbulimin në kohë të kërcënimeve të sigurisë, që çojnë në rekomandime për luftën kundër të gjitha formave të migracionit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar në nivel qendror dhe vendor.
Përfaqësuesit e partnerëve të këtij grupi të përbashkët rajonal të punës do t’u raportojnë çdo tre muaj ministrave përkatës, duke nisur me raportimin e parë më 14 gusht 2024, Puna e grupit rajonal të punës do të bashkërendohet nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë. Anëtarët e grupit të përbashkët rajonal të punës do të përcaktojnë programin e përbashkët të punës gjatë muajit maj 2024.