Epoka e artë e mafies: Kush janë 5 Familjet?

BOTA


Nëse doni të mësoni për krimin e organizuar në Nju Jork, duhet të dini për Pesë Familjet. Këto organizata të fuqishme italo-amerikane ishin në qendër të krimit të organizuar në qytet për disa dekada, duke përfshirë periudhën e njohur si Epoka e Artë e Mafias.

Në këtë artikull, shikojmë se si familjet morën fuqi dhe si autoritetet i frenuan aktivitetet e tyre.

Origjina e Pesë Familjeve

Mafia në Nju Jork i ka rrënjët te mafia siçiliane (Cosa Nostra) dhe vala e migrimit italian në SHBA në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Megjithatë, historia e Pesë Familjeve filloi me të vërtetë në fillim të viteve 1930, pas kulmit të përgjakshëm të Luftës Castellammase.

Lufta përfundoi kur kreu i familjes së krimit të organizuar Castellammarese, Salvatore Maranzano, urdhëroi vrasjen e Joe Masserias, kreut të familjes rivale Masseria. Maranzano më pas riorganizoi mafian në qytet, duke u vetëshpallur “bos i të gjithë bosëve” mbi Pesë Familjet origjinale: Luciano, Gagliano, Mangano, Maranzano dhe Profaci.

Kur Maranzano u vra në një atentat të urdhëruar nga ushtari i tij Charles ‘Lucky’ Luciano, kjo çoi në krijimin e Komisionit, në thelb një organ qeverisës për mafian.

Pesë Familjet më vonë u bënë të njohura si Bonanno, Colombo, Gambino, Genovese dhe Lucchese. Çdo organizatë kishte një bos, një hierarki dhe territore të përcaktuara.

Bonanno

Familja Bonanno operon në zonat e Manhattan, Bronx, Brooklyn, Queens, Staten Island dhe Long Island, si dhe territore jashtë Nju Jorkut. E njohur më parë si familja Maranzano, në vitin 1976, ajo u infiltrua nga Joseph Pistone, një agjent i FBI-së i cili punonte me pseudonimin “Donnie Brasco”.

Kolombo

Familja Colombo vepron kryesisht në zonat e Brooklyn, Queens dhe Long Island. Fillimisht ishte e njohur si familja Profaci, e cila e nisi aktivitetin si një bandë vjedhësish gjatë Prohibicionizmit. Më e reja nga familjet, ajo u riorganizua si familja Colombo në vitet 1960. Ajo konsiderohet nga forcat e rendit si më e dobëta e Pesë Familjeve.

Gambino

Familja Gambino operon në territore në të gjithë Brooklyn, Queens, Manhattan, Staten Island dhe Long Island. E njohur fillimisht si familja Mangano, në fund të viteve 1950, nën drejtimin e Carlo Gambinos, ajo u bë një nga organizatat më të fuqishme të krimit. Ndoshta shefi i saj më i famshëm ndër vite ishte John Gotti. I quajtur ‘Teflon Don’ për shkak të aftësive të tij për të shmangur dënimin për krimet e tij, Gotti përfundimisht u dënua me burgim të përjetshëm në 1992.

Genovese

Familja Genovese operon në pjesë të Manhattan, Bronx, Brooklyn dhe New Jersey, midis territoreve të tjera. Fillimisht drejtohej nga Lucky Luciano dhe njihej si familja Luciano. Vito Genovese u bë shefi i familjes në vitin 1957. Organizata ishte veçanërisht aktive në trafikimin e lëndëve narkotike. Më e vjetra dhe më e madhja nga Pesë Familjet, sipas FBI-së, familja Genovese mbetet organizata më e fuqishme e krimit të organizuar në vend.

Lucchese

Familja Lucchese operon kryesisht në pjesë të Bronx, Manhattan, Brooklyn dhe New Jersey. Kushdo që e ka parë filmin Goodfellas do të njohë disa nga anëtarët e jetës reale të familjes Lucchese. Ata përfshinin Henry Hill dhe James ‘Jimmy the Gent’ Burke, të cilët organizuan grabitjen famëkeqe 5 milionë dollarëshe të Lufthansas në aeroportin JFK të Nju Jorkut.

Ndikimi i Pesë Familjeve

Pesë Familjet ishin më aktive në vitet 1940 dhe 1950, por dominimi i tyre vazhdoi deri në vitet 1960. Ato ushtronin pushtet mbi politikanët dhe sindikatat, si dhe industri të ndryshme, duke përfshirë argëtimin, ndërtimin dhe depozitimin e mbeturinave. Aktivitetet e tyre kriminale përfshinin huadhënien, lojërat e fatit dhe prostitucionin.

Ato gjithashtu zhvasnin para “mbrojtjeje” nga pronarët e bizneseve dhe ishin aktive në tregtimin e drogës dhe llojeve të tjera të shantazhit.

Përpjekjet për t’i eleminuar

Mjeti kryesor që përdorën autoritetet për të luftuar aktivitetet e Pesë Familjeve ishte Ligji RICO. Ai u miratua në vitin 1970 për të vënë në shënjestër krimin e organizuar. RICO në thelb lejon organet e zbatimit të ligjit, që të lidhin krimet e ndryshme individuale të kryera nga organizatat mafioze me një ndërmarrje të vetme kriminale.

Ai përfshin si dënimet penale, ashtu edhe dënimet civile. Një rezultat i RICO-s ishte shndërrimi i anëtarëve të mafias të nivelit më të ulët (‘djemtë e mençur’ ose ‘shokët e mirë’) në informatorë. Ata siguruan prova kundër eprorëve, në këmbim të dënimeve më të vogla dhe mbrojtjes së dëshmitarëve.

Pavarësisht nga një përpjekje e përbashkët për të mbyllur Pesë Familjet, ato janë ende shumë aktive në qytetin e Nju Jorkut dhe gjetkë, me arrestime të profilit të lartë të kryera deri në vitin 2023.

Megjithatë, ata janë sot më pak të fuqishëm sesa gjatë Epokës së Artë të Mafies. / bota.al



Skip to toolbar