Erdogan zbret në Athinë, gati të firmosë paktin e miqësisë së mirë me Mitsotakis

BOTA


Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Athinë, në atë që shihet si një përpjekje për të arritur një marrëveshje të fqinjësisë së mirë me Greqinë.

Avioni “TUR” i Erdogan ateroi në aeroportin “Eleftherios Venizelos” të kryeqytetit helene në orën 09:45, ku u prit nga ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis.

Erdogan udhëtoi me një delegacion ministrash dhe fillimisht u nda në zyrën e homologes së tij Katerina Sakelaropulu.

Në deklaratën e tij para takimit dypalësh, Erdogan tha: “Ne jemi këtu me një delegacion të madh ministrash. Ministrat tanë do të kenë takime shumë domethënëse me njëri-tjetrin. Qëllimi është të rritet vëllimi tregtar mes nesh nga 5.5 miliardë dollarë në 10 miliardë dollarë. Do të diskutojmë se çfarë hapash mund të ndërmarrim në cilat fusha në këtë drejtim. Të gjithë miqtë tanë ministra kanë bërë përgatitjet paraprake. Së bashku do të firmosim dhe do të vazhdojmë rrugën në një mënyrë shumë më kuptimplote dhe më të sigurt. Mendoj se të flasësh me gotën gjysmë plot do të jetë shumë më mirë për të ardhmen”.

Pas takimit me presidenten greke, Erdogan iu drejtua Pallatit Maximos, ku u prit nga kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis. Takimi mes tyre ka zgjatur më shumë se 45 minuta, që ishte minutazhi i përcaktuar nga Kryeministria helene.

Mitsotakis e priti presidentin turk në shkallët e Maximos duke bërë një dialog të shkurtër para se të hynin brenda. Shtypi i huaj po ndjek me interes të pashuar takimin mes dy liderëve, pasi vizita e presidentit turk pas gjashtë vitesh në Athinë, mund të shënjojë një faqe të re në marrëdhëniet mes dy vendeve, pas disa vitesh konflikti dhe rreziku për përplasje të armatosur.

Greqia dhe Turqia, fqinjët dhe aleatët e NATO-s, kanë debatuar për dekada për çështje të tilla si shelfi i tyre kontinental, burimet e energjisë, fluturimet në Egje dhe Qipro.

Marrëdhëniet u përmirësuan kur Greqia dërgoi ndihmë në Turqi pas tërmetit shkatërrues të shkurtit të kaluar.



Skip to toolbar