Errësirë totale në Kiev, Rusia lëshon breshëri sulmesh. Ukraina avancon në Kursk

BOTA


Ukrainasit janë zgjuar herët këtë të hënë. Sirenat e alarmit dhe shpërthimet rikthyen frikën në shumë rajone, pasi ushtria ruse zhvilloi një tjetër sulm masiv.

Të paktën 3 viktima dhe disa të plagosur janë raportuar. Në shënjestër përfunduan 11 rajone, përfshirë kryeqytetin Kiev. Të paktën 7 shpërthime të ndryshme janë dëgjuar në kryeqendrën ukrainase. Kjo ka bërë që në disa zona të Kievit të ketë errësirë totale.

Raketat dhe dronët e Rusisë arritën deri në Lvivin perëndimor, ku në shënjestër përfunduan disa impiante të energjisë elektrike. Mbrojtja ukrainase është angazhuar në rrëzimin e dhjetra dronëve dhe raketave të ushtrisë së Putinit, sipas asaj që njoftohet nga vetë trupat e Zelenskit.

Gjithashtu edhe Moska konfirmon rrëzimin e dhjetra dronëve të lëshuara nga Ukraina në territorin e Rusisë. Në shënjestër ishin Kursk, Belgorod dhe Briansk. Kjo vjen në një kohë kur Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmon se ushtarët e tij po marrin fitore të vogla në tokën e Putinit.

Ai theksoi se trupat ukrainase po avancojnë në rajonin Kursk, kur kanë kaluar mbi 2 javë nga inkursioni i nisur në mënyrë befasuese. “Sapo kam folur me komandantin Oleksandër Syrsky dhe kemi një avantazh në rajonin Kursk. Nga një deri në 3 kilometra. Kemi marrë dhe dy vendbanime nën kontroll”, u shpreh Zelensky në fjalimin e përditshëm.

Ai shton se ka përpjekje aktive për të marrë në kontroll edhe një tjetër vendbanim në territorin e Rusisë.



Skip to toolbar