Pak ditë para vizitës së tii në Tiranë, Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, ka nisur vizitën e tij në Maqedoninë e Veriut, teksa është takuar me Presidentin Stevo Pendarovski, ku kanë shkëmbyer mendime për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, si dhe për gjendjen në rajon.
Në takim, Pendarovski, siç njoftojnë nga zyra e tij, tha se të dyja vendet në vazhdimësi e nxisin dialog produktiv politik dhe shprehu besimin se marrëdhëniet bilaterale do të vazhdojnë të zhvillohen me ritëm edhe më të fortë. Pendarovski gjithashtu theksoi rëndësinë e mbështetjes së fuqishme dhe të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara në arritjen e qëllimeve strategjike të vendit, që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.
Lidhur me aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, presidenti Pendarovski rikonfirmoi pritjet për fillimin e shpejtë të negociatave për anëtarësim, duke theksuar se zhbllokimi i procesit integrues do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin dhe zhvillimin e përgjithshëm të rajonit. Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski falënderoi administratën amerikane dhe personalisht zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit, Escobar, për mbështetjen e tyre në adresimin e nevojës për përparim rajonal drejt BE-së.
Në takim, Pendarovski theksoi përkushtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si anëtare më e re e NATO-s, për të kontribuar në sigurinë kolektive dhe mbrojtjen e vlerave të bashkësisë euroatlantike. Pendarovski falënderoi edhe për ftesën për të marrë pjesë në Samitin virtual për Demokraci, organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili do të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor 2021.