“Është ilegjitim”, PD refuzon komisionin për reformën zgjedhore

AKTUALITET


Ndërsa Partia Socialiste ka bërë gati draftin për Reformën Zgjedhore, Partia Demokratike refuzon të marrë pjesë, pasi e konsideron të paligjshëm Komisionin Parlamentar për reformën Zgjedhore dhe vazhdon t’i qëndrojë propozimit të saj për realizimin e kësaj reforme nga një strukturë ekstra parlamentare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë.

“PD dhe opozita i mbetet qëndrimit publik, të shpallur në tryezën e organizuar nga OSBE. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë për reformën zgjedhore në një mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse dhe barazi të plotë me palën tjetër. Këto nuk i garanton komisioni, jo-legjitim i reformës zgjedhore”- është shprehur sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

Që pas djegies së mandateve në muajin shkurt të këtij viti, opozita e drejtuar nga Lulzim Basha nuk është ulur në tryezën e reformës zgjedhore, duke e quajtur këtë komision ilegjitim.

Partia Socialiste zbuloi më herët draftin e plotë për fazën e parë të reformës zgjedhore ku propozohet më shumë transparencë për financat e partive dhe që parlamenti të ketë 30% gra; ndërsa administrata publike të mos marrë pjesë në fushatën zgjedhore. PS e lë të hapur për ta diskutuar me opozitën propozimin për depolitizimin e komisioneve të  votimit dhe të numërimit të votave.



Skip to toolbar