Nuk ka dëshirë ta quajë një revansh. Ardian Ismajli duket qartë se ka një brum prej futbollisti profesionist dhe patrioti të vërtetë, pasi la pas çdo sfidë dhe u kthye më i fortë.
Padyshim, e ka lënë pas faktin që u la në stol dhe nuk luajti asnjë minutë në Evropian.
Goli i shënuar ndaj Ukrainës ishte një konfirmim i kthimit të tij, edhe pse ishte titullar në Nations League, ndoshta sepse munguan Gjimshiti dhe Ajeti.
Sidoqoftë, kur një mbrojtës shënon, e kur për më tepër shpallet lojtari më i mirë i ndeshjes, kjo padyshim që ka një kuptim të madh.
Jo vetëm te Kombëtarja, por Ismajli duket se po arrin kulme edhe tek Empoli.
Në skuadrën toskane jo vetëm që është titullar i padiskutueshëm, dhe po flasim për nivelin e Serie A, por madje trajneri hera-herës i ka besuar edhe shiritin e kapitenit.
Një vlerësim i lartë dhe plotësisht i merituar. Është lënë pas sezoni i kaluar, kur mbrojtësi 27-vjeçar pati dëmtime, dhe shpesh humbi ndeshje në Itali.
Sipas të gjitha mundësive, futbollisti nga Kosova do të jetë titullar edhe në sfidën e sotme kundër Gjeorgjisë në arenën “Air Albania”.
Ku i dihet, ndoshta shënon edhe gol, sepse deri tani ka realizuar tre herë për fanellën “kuqezi”. /i.m /abcnews.al