Penalltitë janë pjesë e pandashme e një ndeshje futbolli. Në kampionate madhore, ashtu sikurse është dhe “Euro 2020”, penalltitë shpesh janë përcaktuese të ndeshjeve, ose edhe finaleve.
Por, tifozët, janë ata që vuajnë dhe e përjetojnë gjatë këtë moment të sfidës.
Në një artikull të BBC, vjen rrëfimi i një tifozi anglez. Pav Samara, ka treguar se si ka përjetuar momentin kur Anglia, kaloi me kohë shtesë në ndeshjen ndaj Danimarkës, në gjysmëfinale të “Euro 2020”. Ai ka treguar, se ndihej si sëmurë dhe aspak mirë nga ana emocionale.
“Kur ndeshja mbërriti në kohën shtesë, fillova të ndihem keq, si i sëmurë. Kur na u dha penalltia, mbulova fytyrën me duar, nuk doja ta shikoja. Kur je në shtëpi, ke mundësi të lëvizësh dhe të mos e shohësh atë moment.
Por në një stadium, e aq më tepër në Wembley, ajo është një mision i pamundur. Kur gjyqtari akordoi penallti në favorin tonë, në kohën shtesë. Unë mbylla sytë, ndërsa një person para meje nisi të xhirojë me telefon. I kërkova të mos e xhironte, sepse bëhesha shumë keq.
Fillimisht mendoi se po tallesha, por në fakt, s’po bëja atë gjë”, tha Samara.
Nga kjo situatë, vuan edhe një tifoz i Evertonit, i quajtur Tim Hill. Ai ka thënë që nuk mundet dot t’i shohë penalltitë dhe është ndjerë vërtetë keq në një finale të kupës së FA, e cila u luajt në 1995.
“Nuk kam parë asnjë sekondë ndeshjen. Gjatë gjithë kohës bëja ece-jake të pakontrolluara. Jam kthyer në vendin tim vetëm kur mendova se do të fitonim, në 5 minutat e fundit ë ndeshjes.
Malcom Shearstone, një tjetër tifoz, ka treguar nervozizmin e përjetuar gjatë një ndeshje futbolli, e aq më tepër, teksa ekzekutohen penalltitë.
“E kam ndjekur Anglinë që kur isha 10 vjeç e fituam Kupën e Botës, është një kohë e gjatë që e shikoh përfaqësuesen duke mos korrur sukses, e deri diku, më duket normale të kem atë përjetim”.
Këto përjetime, kanë marrë një kuptim më të gjerë nga Dr. Jaime Barker, petagog i njohur sporti në Universitetin Loughborough. Ai ka thënë se tifozët, ashtu sikurse dhe sportistët, përpiqen të marrin gjithmonë parasysh dështimin, sesa suksesin.
“Një ndeshje zgjat gjatë. Pritja bëhet po aq e vështirë dhe e lodhshme. Ata kanë frikë se mos ekipi i tyre humb, ndaj ndodh edhe ky fenomen. Dikur ne nuk merrshim aq shumë penallti, ndërsa tani edhe po marrim. Këto momente duhet parë si pozitive, sepse janë çaste që do të mbahen mend gjatë gjithë jetës”, tha mjeku.
